“Uji në Tiranë, i pa pijshëm dhe i dëmshëm”, reagon Presidenti: UKT-ja ka rrezikuar jetën e qytetarëve

Tuesday, 25 May 2021 16:54

 

Gjykata Administrative e Tiranës ka pranuar ditën e sotme, se cilësia e ujit që furnizohet kryeqytetit është jashtë parametrave që garantojnë cilësinë e konsumimit.

Me një vendim të paprecedentë, Gjykata ka ngarkuar shoqërinë civile të “mbikëqyrë” shoqërinë shtetërore Ujësjellës Kanalizime Tiranë sh.a, në masat që do të ndërmarrë në përmirësimin e cilësisë së ujit.

 

Lidhur me këtë vendim të Gjykatës ka reaguar edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili deklaron se

“Qytetarët e Tiranës meritojnë mbrojtje të garantuar të shëndetit përmes shërbimeve shtetërore, që mbahen dhe paguhen me taksat e tyre.
E përshëndes aktivizimin e shoqërisë civile në këtë rast për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve nga papërgjegjshmëria dhe keqfunksionimi i Ndërmarrjes së Ujësjellësit të Tiranës, në varësi të Bashkisë, që siç faktohet nga të dhënat e bëra publike, ka rrezikuar jetën e tyre duke i furnizuar me ujë të papërdorshëm sipas parametrave.
Tashmë, që pritet arsyetimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, çështja duhet të ndiqet edhe në instancat më të larta shtetërore, ndërkohë të dhënat e bëra publike, duhet të vënë në lëvizje Prokurorinë për të hetuar deri ku arrin shkalla e përgjegjësisë dhe e shkeljes së ligjit, për të nxjerrë para drejtësisë këdo, që ka vendosur në rrezik masiv shëndetin e banorëve të kryeqytetit.
Mbrojtja e shëndetit dhe e jetës së qytetarëve të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, veçanërisht në këtë periudhë pandemie, duhet të jetë prioritet absolut. 🇦🇱“, shprehet Presidenti Ilir Meta

Login to post comments