LETËR E HAPUR/ I nderuar Sekretar Blinken!

E mërkurë, 26 May 2021 10:30

 

Nga Arian Starova - 26/05/2021

Pas hedhjes së “bombës morale” të Departamentit të Shtetit, në 19 maj, kundër Berishës dhe familjes së tij një pjesë e mediave shqiptare dhe e të ftuarve të saj të larmishëm janë vënë në kërkim të “viktimave” dhe të “të dënuarve”. Sepse nuk ka as viktima, as të dënuar ligjorë. As Berisha dhe familja e tij nuk janë të tillë. Ndër më zellshmit spikatin kundërshtarët e Berishës dhe të forcave politike të djathta, ku përfshihen njerëz gjithfarësh, besnikët e pandryshueshëm të regjimit të përmbysur komunist, ushtria e socialistëve të partisë dhe institucioneve shtetërore vendore dhe qendrorë dhe klientët e përhershëm në kërkim të përfitimeve prej shumicës së sotme qeverisëse. Por janë edhe njerëzit e thyer nga demagogjia e dendur dhe e gjatë kundër Berishës dhe politikës së djathtë, si edhe njerëzit qejfmbetur prej gabimeve të qeverisjeve të djathta. E gjithë kjo turmë njerëzore “noton” në një “det” me gënjeshtra që prej vitit 1997, kur Partia Socialiste organizoi revolucionin komunist në jug të Shqipërisë.

Megjithatë, le të fillojmë të arsyetojmë. A është Berisha udhëheqës politik, i cili nuk ka bërë asnjë gabim? Sigurisht që jo. Ai ka folur shumë herë, duke i pranuar gabimet e veta dhe opinioni publik e ka dëgjuar. Në vitin 2013 i humbi zgjedhjet, u largua si Kryeministër dhe dha dorëheqjen prej drejtimit të Partisë Demokratike. Ndërkohë, fushata e shpifjeve kundër tij e nisur në vitin 1997 ka vazhduar me çdo mjet edhe pas vitit 2013 dhe ende vazhdon. Jo vetëm e kanë quajtur të korruptuar, por e kanë akuzuar paturpësisht edhe për vrasje. Më qesharakja prej tyre në atë kohë ishte akuza se paska dashur të “bombardojë Vlorën” në vitin 1997!!!

Dhe nëse Departamenti i Shtetit tani e ka cilësuar si të papërshtatshëm për të hyrë në SHBA, sepse sipas informacioneve të OJQve, mediave dhe qeverisë shqiptare, ai ka “favorizuar pasurimin e aleatëve të tij dhe të pjesëtarëve të familjes”, “është përfshirë në veprime korruptivë”, “ka shpërdoruar fondet publike dhe proceset publikë” dhe ka shpërdoruar besimin e publikut shqiptar ndaj institucioneve”, kjo është diçka që mbetet për t’u vërtetuar nga drejtësia shqiptare. Berisha e bëri veprimin e tij, kërkoi të sqarohet e vërteta e shpifjeve ndaj tij nëpërmjet një studioje avokatie franceze [sepse ajo shqiptare ende ka probleme.

Pra, deri tani vendimi i Departamentit të Shtetit mbetet një veprim në rrafshin moral. Gjithsesi, edhe si veprim i tillë, ai nuk u shmanget disa kundërshtive dhe përdorimit të standardeve të ndryshëm vlerësues.

Si mund të merren për fakte vlerësues ato çka thuhen në media kur dihet se me median ka probleme serioze në Shqipëri?! E njëjta gjë mund të thuhet edhe informacionet e marra prej institucioneve qeveritare shqiptare, të cilat janë shumë të politizuara kundrejt opozitës dhe udhëheqësve të saj?! Përse pikërisht tani dhe jo menjëherë pas largimit të Berishës prej pushtetit dhe partisë?! Përse as pjesëtarët e familjes së tij nuk janë dënuar moralisht më parë?! Përse Shqipëria u pranua në NATO në vitin 2009 dhe iu hoqën vizat Schengen në prag të vitit 2011, kur dihet se si NATO edhe BE janë tejet të ndjeshme ndaj korrupsionit?! Përse në raste të tjera të mirënjohura të Ballkanit Perëndimor nuk kemi parë e as dëgjuar një dënim të tillë moral?!

Veprimi dënues moral i Departamentit të Shtetit ka shpërfillur edhe disa të vërteta historike të Shqipërisë së tridhjetë vjetëve të fundit, të cilat lidhen edhe me Sali Berishën.

Orientimi strategjik i Shqipërisë drejt SHBA-së dhe institucioneve euroatlantikë [anëtarësimi në NATO dhe përparimi drejt BE-së], bashkëpunimi shumë i ngushtë me SHBA për çështjet themelore të zhvillimit të Shqipërisë dhe të paqes e sigurisë rajonale të Ballkanit, zhvillimi i marrëdhënieve dhe ndjenjave popullore proamerikane etj. janë vetëm pjesa më e dukshme e politikave të ndjekura nën udhëheqjen e Berishës.

Nga ana tjetër, përgjatë tridhjetë vjetëve, Berisha u shndërrua në udhëheqësin-simbol të proceseve dhe reformave demokratike të Shqipërisë. Sado ta përgojojnë figurën e tij, ai edhe sot ka mbështetjen e të paktën gjysmës së popullsisë politikisht vepruese. Duan apo nuk duan kundërshtarët e tij, ai ka hyrë dhe do të mbetet në historinë e Shqipërisë.

Një e vërtetë tjetër është se populli shqiptar ka mbi njëqind vjet që ushqen ndjenja të fuqishme miqësie kundrejt SHBAsë, miqësi e cila ka ardhur duke u rritur dhe forcuar, madje fshehurazi edhe nën komunizëm. Ndryshe prej popujve të tjerë, shqiptarët janë mësuar që mbështetjen amerikane ta vështrojnë gjithnjë si “kyçin e artë” të zgjidhjes së problemeve të vendit dhe të kombit të tyre që prej ditëve të përpjekjeve për pavarësi në fillim të shekullit të kaluar. Prandaj, veprimi i Departamentit të Shtetit nuk ndikon për mirë edhe në ndjenjat dhe mendësinë e një pjese të madhe të popullsisë shqiptare. Aq më shumë kur të metat serioze të qeverisjes së sotme u kujtojnë shqiptarëve regjimin e vjetër totalitar.

Edhe një koment i fundit.

Unë nuk mund ta di saktësisht se si është ka qenë e mundur që Departamenti Amerikan i Shtetit të marrë atë vendim kundrejt Berishës dhe familjes së tij. Një gjë e mendoj si të sigurt, të paktën faktin që është nxituar dhe ka gabuar. Fatmirësisht, nuk jam më i vetëm në arsyetimin tim.

Nëse është menduar se kështu të mund t’u dalë frika njerëzve të “drejtësisë së re” dhe të fillojë ndëshkimi i “peshqve të mëdhenj”, përsëri kanë gabuar, sepse kanë ngatërruar edhe radhën e veprimeve, edhe “peshqit” që janë shtuar aq shumë në akuariumet institucionale duke shpërdoruar pasuritë që u përkasin taksapaguesve shqiptarë.

I nderuar Sekretar Blinken!

Opozita e sotme shqiptare vërtet ka bërë disa veprime të rënda shpërfillëse kundrejt sistemit politik neoliberal demokratik të Shqipërisë, por kjo nuk mund ta përligjë harresën e Departamentit të Shtetit kundrejt një regjimi që investon për “zbukurimin” e një Shqipërie vetëm për të fshehur korrupsionin gjigant dhe narkokartelet që po tronditin çdo javë sigurinë e familjeve shqiptare me vrasjet e tyre.

Drejtësia e re shqiptare e shumëdëshiruar nga të gjithë shqiptarët nuk mund të fillojë të veprojë duke e pagëzuar me “gjakun” e “kurbaneve” të gabuar, sepse do të bëhet e vjetër që ditën e saj të parë.

* President i Këshillit Atlantik të Shqipërisë

Login to post comments