Nuk ka vonuar pas sulmit nga ana e Bujar Nishanit, kryetar i Këshillit Kombëtar të PD-së, ka reaguar Lulzim Basha. Në një reagim në Facebook, Basha shkruan se hedh poshtë me neveri shpifjen e ulët, siç e cilëson, duke shtuar se “inati e mllefi personal e ka një limit” dhe se ky sipas Bashës është kaluar.
‘E kam nisur fushatën për zgjedhjet brenda partisë me bindjen se nga kjo garë duhet të dalim më të fortë dhe më të bashkuar. Kam refuzuar reagimet që nxisin përçarje edhe pse çdo ditë ndaj meje janë hedhur sulme personale dhe politike të pavërteta dhe të padrejta. Por çdo gjë e ka një limit.
Ndaj sot hedh poshtë me neveri shpifjen e ulët të Bujar Nishanit. Inati e mllefi personal e ka një limit. Por sot ai limit është kaluar, sepse lidhet me një çështje që ka prekur thellë jo një individ, jo Sali Berishën por gjithë partinë tonë. Këto shpifje të ulëta i shërbejnë vetëm atyre që bëjnë gjithçka të përçajnë Partinë Demokratike. Dhe unë këtë nuk do ta lejoj.’ -shkruan Basha.
Po si erdhi ky reagim i fortë i Bashës ndaj Nishanit. Në një emision televiziv, Nishani kishte thënë se Basha e dinte me parë vendimin e DASH për Berishën, por nuk kishte folur.
Nishani tha në “Frontline” në “News24” se kjo ka qenë edhe arsyeja e afrimit të datës së zgjedhjeve për kreun e PD-së. “Teoria; ‘s’ka më të mirë se Lulzim Basha’, për mua është tezë e sponsorizuar nga Edi Rama. Kjo teza; ‘s’kemi ça t’i bëjmë’, është manipulative. Të pretendosh që të thuash se ‘ska më të mirë se Basha’, nëse dikush më thotë se kjo është një arritje që ai ka bërë në interes të PD, ai s’ka asnjë kontribut.
Me çfarë? Me kë ta krahasosh se është më i miri?! Njerëzit duhen provuar, elitat po ashtu. Ka njerëz të tjerë që mund të qeverisin më mirë se Basha, dhe të tregojnë veten e tyre. Lider lind, nuk bëhesh.
Kryetar nuk lind, bëhesh. Për mua po, pasi në 8 vite nuk bëri asgjë. Zoti Basha duhet të dalë në opinion publik dhe të bëjë transparencë për këtë gjë. Edhe më parë kjo ‘Berisha ka ndikim te ai; është tezë manipulative, që t’i ikë përgjegjësisë. Zoti Basha është njohur me këtë tezë dhe është rrahur shpesh me këtë gjë.
Asnjë herë zoti Basha s’ka dalë publikisht dhe të demontojë këtë gjë, dhe të thotë; zoti Berisha s’ka asnjë ndikim tek unë. Ka dhe një thashethemnajë se Basha ankohet para diplomatëve të huaj se ka ndikim nga zoti Berisha”, tha ish-presidenti i vendit.
Duke u ndalur tek vendimi për shpalljen non-grata për Berishën, Nishani tha: “Unë jam shprehur qartë kur më është kërkuar mendim. Kjo është një çështje që zoti Berisha e ka adresuar diskursin drejt zgjidhjes gjyqësore. E ka bërë zgjedhjen e tij. Me rëndësi në këtë çështje janë dy gjëra. Në këtë histori personale me Berishën unë mund të dëshmojë në çdo kohë, se unë kam ndeshur njeriun e ndershëm institucional dhe s’kam ndeshur kurrë një minimum të korrupsionit.
Kjo çështje është një çështje që s’do t’i cënojë kurrë marrëdhëniet SHBA-Shqipërinë. S’kam droje fare. S’kam asnjë ndonjë informacion apo indicie. Unë kam kuptuar se zoti Basha ka qenë në dijeni të informacionit, pasi jo pa qëllim afroi jo në mënyrë të pritur datën e zgjedhjeve brenda partisë. Kjo çështje ka krijuar një shok brenda PD. Se mohojmë dot. Pasi Berisha është themelues i PD dhe për të ka ndjeshmëri”.
Ndërkohë, pyetjes nëse duhet të përjashtohet Berisha nga PD, ai tha se legjislacioni se ndalon.
“Ai e shprehu vetë qartë, i takon atij. S’ka asnjë lloj legjislacioni që ta përjashtojë zotin Berisha. Kjo është zgjedhje personale e tij. Ne duhet ta respektojmë”, pohoi ish-presidenti