Një film i shkurtër/ Historia speciale e Sali Berishës me SHBA

Premte, 11 June 2021 17:41

 

Kjo është historia speciale e Sali Berishës me SHBA-të, të cilën nuk e ka asnjë politikan në Ballkanin Perëndimor.

Sali Berisha jo më kot ka qenë që në fillim të demokracisë shqiptare, një nga politikanët më të pranuar dhe të preferuar të SHBA dhe perëndimit për gjithë rajonin. Formimi i tij properëndimor u ngjiz herët dhe mundi të formëzohej, duke shfrytëzuar çdo hapësirë gjatë regjimit komunist.

 
Në dhjetor të vitit 1990 ai iu bashkua që në ditën e parë demonstratave të studentëve, të cilat e detyruan regjimin të lejonte vendosjen e sistemit shumëpartiak. Me krijimin e partisë së parë anti-komuniste, Partisë Demokratike, ai ishte një nga themeluesit dhe drejtuesit kryesorë të saj dhe në shkurt të vitit 1991 u zgjodh kryetar i Partisë Demokratike.

 

Investimi i parë i madh që iu bë opozitës së re shqiptare në atë kohë, vinte direkt nga SHBA. Ndërkohë që Berisha kishte kryer një vizitë entuziaste në Nju Jork në vitin 1991, ambasadori i parë amerikan në Tiranë, Uilliam Rajerson, do krijonte një marrëdhënie speciale me të.

 

Kulmi i mbështetjes amerikane për opozitën e udhëhequr nga doktor Berisha do të ishte vizita në 21 qershor 1991 e Sekretarit Amerikan të Shtetit James Baker, në Tiranë.
Me lidershipin demokrat në tribunë dhe me dhjetëra mijëra shqiptarë që mbushën sheshin Skënderbej, u vulos marrëdhënia special e Partisë Demokratike dhe e Berishës me SHBA-të.

Që në opozitë Berisha, do të pritej nga presidenti Xhorxh Bush plaku. Kurse në vitin 1992 pasi u zgjodh president, përmes një ceremonie zyrtare nën batarenë e topave, Bush i dhuroi stilolapsin me të cilin firmosi shpalljen e Shqipërisë si shtet i privilegjuar për tregti mes dy vendeve.

Gjatë mandatit si President, ajo që bëri së pari Berisha ishte hapja me shpejtësi e Shqipërisë ndaj perëndimit. Vendi ynë u bë anëtar i Këshillit të Evropës që në vitin 1995; Berisha nënshkroi Marrëveshjen për Paqe dhe Partneritet në vitin 1993 dhe vendosi bashkëpunim të ngushtë me SHBA dhe vendet e BE-së.

SHBA de fakto dhe de jure, u shpall aleati Nr.1 strategjik i Shqipërisë.

Marrëdhënia strategjike SHBA-Shqipëri do të reflektonte veçanërisht me procesin e përshpejtuar për futjen e vendit në NATO. Nga viti 1992 deri në 1996 dolën dhjetëra ligje dhe u krijua infrastruktura, që vendi ynë të futej që atëherë në organizatën ushtarake të udhëhequr nga SHBA.

Në qershor 1992, Shqipëria aplikon dhe pranohet zyrtarisht në Këshillin e Bashkëpunimit të Atlantikut të Veriut. Në dhjetor 1992, shënohet vizita e parë zyrtare nga Presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha, në selinë e NATO-s ku takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të Aleancës Manfred Verner. Në 19 mars 1993, për herë të parë, viziton Shqipërinë Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Manfred Verner.

Maj 1993, Shqipëria pranohet anëtare e Asamblesë së Atlantikut të Veriut.

Pas një pauze prej 14 vitesh dhe rikthimit të Berishës si kryeministër, u bë e mundur marrja e ftesës së anëtarësimit në NATO në Samitin e Bukureshtit (2 prill 2008) dhe anëtarësimi me të drejta të plota në Samitin e Strasburg&Kehl, në 2 prill 2009, pavarësisht nga tragjedia e Gërdecit.

Edhe pasardhësi i Xhorxh Bushit të parë, demokrati Bill Klinton, do të ruante marrëdhënie speciale me Berishën. Në vitin 1995 ai e priti Presidentin Berisha në Shtëpinë e Bardhë në Uashington. Temë kryesore e bisedës ishte situata në ish-Jugosllavi dhe posaçërisht Kosova. Në takimin me Klinton, Presidenti Berisha e nxiti atë për më shumë vëmendje të SHBA për atë që po bënte Serbia ndaj Kosovës dhe mori garanci për këtë.

Por jo gjithmonë marrëdhëniet e Berishës me administratën amerikane, kanë qenë të lumtura.

Përplasjet e para të Berishës me ta, nisën në vitin 1995 kur Berisha shkarkoi Zef Brozin nga Gjykata e Lartë dhe refuzoi fillimisht lirimin e liderëve të minoritetit grek në Shqipëri, të arrestuar për “spiunazh”.

Në atë periudhë Berisha i rriti dozat e konfliktit pasi refuzoi të takonte Zëvendës-Sekretarin Amerikan të Shtetit, Timo Uorth për të gjetur një zgjedhje të shpejtë pasi edhe lobi grek në Uashington po bënte presion të fortë.

Krisja e dytë në këto marrëdhënie lidhet me zgjedhjet e 1996-ës, kur administrata amerikane nuk pranoi rezultatin dhe dhunën e ushtruar ndaj opozitës. Situata u bë më e acaruar pas daljes së Partisë Demokratike në opozitë dhe drejtimit radikal që Berisha i bëri asaj. Ambasadorja amerikane në Tiranë në 1998-ën, Marisa Lino, dënoi hapur ngjarjet e pushtimit të institucioneve pas vrasjes së Azem Hajdarit. Kështu pasuan disa vite marrëdhëniesh të ngrira mes PD-së, Sali Berishës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, deri në ndryshimin e strategjisë përpara zgjedhjeve të vitit 2005, duke u fokusuar te lufta kundër korrupsionit.

Fitorja gati plebishitare e zgjedhjeve parlamentare të 2005-ës nga Partia Demokratike dhe aleatët e saj dhe zgjedhja e Sali Berishës kryeministër i vendit, riktheu marrëdhënien e dikurshme institucionale dhe të ngrohta të tij me SHBA-në. Amerika te shqiptarët kishte zënë një tjetër vend pas çlirimit të Kosovës nga NATO, me vendim të Presidentit amerikan Bill Klinton.

Në 2007-ën ndodhi ngjarja më e rëndësishme, në marrëdhëniet mbi një shekullore Shqipëri-SHBA. Për herë të parë një President amerikan do të vizitonte Tiranën, në një vizitë njëditore historike. Sali Berisha, Kryeministër i vendit ishte mikpritësi i madh, ndërsa mori mesazhin nga Presidenti Xhorxh Bush i Riu, për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.

Ky vendim çimentoi marrëdhëniet mes dy kombeve dhe qeverive dhe rriti edhe praninë e kompanive amerikane në Kosovë dhe në Shqipëri. Produkti më domethënës ishte ndërtimi i Rrugës së Kombit që lidh Prishtinën me Durrësin, e cila u ndërtua nga një kompani e madhe amerikane dhe u kundërshtua fort nga opozita e asaj kohe që udhëhiqej nga kryeministri aktual Edi Rama.

Edhe një ngjarje e rëndë si ajo e 21 Janarit 2011, nuk do t’i kriste përfundimisht marrëdhëniet. Madje ambasadori Arvizu e quajti Berishën në atë kohë, “burrë shteti” në mbrojtje të institucioneve dhe stabilitetit.

Kjo është historia speciale e Berishës me SHBA-të të cilën nuk e ka asnjë politikan në rajonin tonë dhe për ta përmbyllur le të rikthejmë një pjesë nga intervista e tij për Zërin e Amerikës në dhjetor 2018 vetëm një ditë pas vdekjes në moshën 94 vjeçare të presidentit George H W Bush:

‘Për mua lajmi i ndarjes nga jeta të presidentit Bush ishte një lajm i hidhur. Presidenti Bush ka qenë politikani me të cilin unë kam patur marrëdhëniet më miqësore gjatë gjithë karrierës time politike, që nga dy muajt e parë të qenies time president deri para pak muajsh kam ruajtur një komunikim të vazhdueshëm me të, kam patur privilegjin e veçantë të gëzoj miqësinë e tij.

Takimi i parë me presidentin Bush, përshtypja më e madhe ishte thjeshtësia me të cilën më priti. Bush i përkiste fisnikërisë më të lartë i kohës, por nga ana tjetër ishte njeriu më tokësor që mund të takoje në SHBA. Ftesa në dhomën ovale ishte një moment historik për mua, por gjithçka u bë shumë e thjeshtë. Presidenti Bush foli për Kosovën, mori një atlas dhe u ulëm folëm për Kosovën.

Më pyeti çfarë mendon, unë i thashë që plani i Millosheviçit ishte spastrimi etnik, dhe ndarja e Kosovës, në atë kohë plani i tij ishte pak më i madh se këta Millosheviçët e rinj. Unë kam patur shumë takime pas kësaj pritjeje. Presidenti ishte mjaft i keqardhur kur mësoi atë se çfarë kishin hequr shqiptarët gjatë diktaturës.

Interesi dhe mbështetja e tij politike kishte një rendësi shumë të madhe. Presidenti Busha ka vendosur themelet e reja të marrëdhënieve mes dy vendeve, ka pasur një marrëdhënie shumë intensive mes dy vendeve. U krijuan bazat e një bashkëpunimi shumë të mriz edhe në marrëdhëniet e sigurisë, nuk duhet të harrojmë se dronët e parë u vendosën në Gjadër. Para se të vinte në Vlorë presidenti erdhi në Tiranë, ai ka ardhur dy herë në Shqipëri.

Në të dy herët ka ardhur në mbështetje të demokracisë. Në vizitën e tij në Tiranë unë i kam akorduar medaljen e Lirisë, pastaj më ftoi në Teksas shkova në shtëpinë e tij, e ftova të vijë sërish, erdhi në Vlorë bashkë me familjen e tij. Këtu dominon një mendësi fundamentaliste, të gjitha qëndrimet e sotme bëjnë gjithçka që të nxijnë të djeshmen, këtë e trashëgon sot edhe kjo mazhorancë me Edi Ramën. Nuk ndërtohet duke mohuar, duhet të flasësh me vepra'

Login to post comments

Lajmet e fundit

Të gjithë sytë nga Dusseldorfi, Shqipëria ëndërron kualifikimin përballë Spanjës

Sport

Të gjithë sytë nga Dusseldorfi, Shqipëria ëndërron kualifikimin përballë Spanjës

  Mbrëmja e Dyseldorfit është një takim me historinë për Shqipërinë, që sot mund të kalojë kufijtë e vetvetes me një kualifikim të mundshëm për në fazën me eliminim direkt të...

Duhet fitore, por mund të mjaftojë edhe barazimi me Spanjën. Mësoni të gjithë skenarët dhe kombinimet e rezultateve për kualifikimin e mundshëm të Shqipërisë

Sport

Duhet fitore, por mund të mjaftojë edhe barazimi me Spanjën. Mësoni të gjithë skenarët dhe kombinimet e rezultateve për kualifikimin e mundshëm të Shqipërisë

      Shqipëria luan këtë të hënën ndoshta ndeshjen më të rëndësishme të historisë së saj. Kuqezinjtë përballen në Euro 2024 në sfidën e tretë në grup me Spanjën e kualifikuar, duke...

Tifozët shqiptarë janë kampionët e birrës/ Bien nga froni anglezët

Sport

Tifozët shqiptarë janë kampionët e birrës/ Bien nga froni anglezët

Ky është Europian rekordesh për shqiptarët.   Kur ishte menduar se si zakonisht, rekordin për konsumin e birrave do e shënonin anglezët apo skocezët, panorama ka ndryshuar.     Sipas gazetës gjermane, Waltroper Zeitung, kampionët...