Me anë të një ceremonie solemne, Presidenti i Republikës, Iir Meta, çmoi sot me Dekoratën e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” themeluesin e arkeologjisë shqiptare, Hasan Ceka (pas vdekjes), me motivacionin:
“Në vlerësim të kontributeve të çmuara si arkeolog i parë shqiptar dhe themelues i shërbimit arkeologjik shqiptar, i gërmimeve arkeologjike shqiptare në Apoloni dhe Muzeut Arkeologjik Kombëtar.
Me mirënjohje shtetërore për punën e palodhur e tepër të vlefshme si specialist i numizmatikës, duke krijuar kabinetin e parë numizmatik me monedha antike ilire, si dhe për botimet e tij të vyera shkencore ‘Probleme të numizmatikës ilire’ dhe ‘Monedhat antike të Dyrrahut dhe Apolonisë’”;
Si dhe arkeologun e shquar francez Leon Rey, me motivacionin:“Me mirënjohje të lartë shtetërore për kontributet e veçanta në themelimin e arkeologjisë dhe muzeologjisë shqiptare, duke krijuar, nëpërmjet gërmimeve dhe zbulimeve të tij të rralla, Parkun Kombëtar Arkeologjik të Apolonisë, si dhe duke çelur rrugëtimin shkencor për botimet periodike shqiptare në këtë fushë. Gjithashtu, në vlerësim të kontributeve të pamohueshme në drejtim të thellimit dhe forcimit të miqësisë historike francezo-shqiptare.”
Gjithashtu Kreu i Shtetit dekoroi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” zotin Jean Gabriel Rey, “Me mirënjohje për ruajtjen e trashëgimisë së patjetërsueshme shkencore të arkivit të pasur të gërmimeve dhe zbulimeve të rralla arkeologjike të Leon Reyt në Apoloni, si dhe me vlerësim për pasurimin dhe thellimin e mëtejshëm të miqësisë francezo-shqiptare. Në vlerësim të meritave si autor i librit ‘Perënditë kishin të drejtë’ dhe si bashkautor i filmit me të njëjtin titull, që përbëjnë dokumente të çmuara të përkushtimit të Leon Reyt ndaj Apolonisë dhe qytetërimit antik të vendit tonë.”
Presidenti Meta duke iu drejtuar të pranishmëve, familjarëve, akademikëve, arkeologëve dhe përfaqësuesve diplomatikë franceze të pranishëm në ceremoninë solemne, u shpreh:
“Jam i lumur, që jemi sot së bashku, për të vlerësuar tre personalitete shumë të shquara dhe me kontribute të jashtëzakonshme për zhvillimin e arkeologjisë dhe për promovimin e vlerave tona më të mira të trashëgimisë historike dhe kulturore, Prof. Hasan Ceka, z.Leon Rey dhe z.Jean Gabriel Rey.
Të tre këto personalitete i lidh ngushtësisht një qendër e famshme arkeologjike si Apolonia, po aq sa i lidh edhe dashuria e përbashkët për arkeologjinë dhe për Shqipërinë, në këtë vend ku u zhvilluan aspiratat, por edhe talentet e tyre.
Leon Rey dhe Hasan Ceka janë dy emra që përbëjnë një unitet, po aq sa edhe një vazhdimësi.
Leon Rey, si nismëtari i gërmimeve arkeologjike në Apoloni dhe zbuluesi i monumenteve kryesore, që përbëjnë sot qendrën e Parkut Arkeologjik të Apolonisë.
Ndërsa Hasan Ceka, si bashkëpuntori i tij shqiptar, në ato gërmime, por dhe si vazhduesi i punës për krijimin e qendrës arkeologjike më të madhe dhe më komplekse të Shqipërisë.
Madhështia e punës së tyre duhet vendosur në kontekstin e kohës. Ishte viti 1923 kur Leon Rey mori në ngarkim detyrën për të filluar zbulimet arkeologjike në Apolloni.
Ishte koha e përpjekjeve për ringritjen e një vendi, që sapo kishte dalë nga gërmadhat e Luftës së Parë Botërore, duke u kthyer në kufijtë e vitit 1913, me beteja të vërteta, jo vetëm diplomatike në Konferencat Ndërkombëtare, por edhe me armë në dorë kundër ushtrive pushtuese në Vlorë dhe në Dibër.
Edhe pse, në ato kushte dukej si një gjë e parakohëshme dhe jo urgjente arkeologjia dhe ekspedita në Apolloni, iniciativa për këtë ekspeditë vinte nga senatori Justin Godart.
Ai ishte një mik i madh i Shqipërisë, me një kontribut të jashtëzakonshëm në mbështetje të Shqipërisë në Konferencën e Versajës më 1919 dhe me dëshirën për të ndihmuar në ndërtimin e një shteti modern, nëpërmjet projekteve të karakterit ekonomik, por edhe kulturor.
Projekti i një misioni arkeologjik në Apoloni ishte pjesë e këtyre përpjekjeve largpamëse dhe caktimi i Leon Rey në krye të tij shënoi gjetjen e njeriut të duhur.
Si rrjedhim i punës pesëmbëdhjetëvjeçare të Leon Reyt, ne trashëgojmë sot, qendrën monumentale të Apollonisë, qindra objekte arkeologjike të zbuluara prej tij, pesë vëllimet e botuara në vitet 1925-1935, librin ‘Guide d’Albanie’, si i pari libër i këtij lloji për Shqipërinë, botuar më 1930 dhe dhjetra artikuj në revistat e kohës, që synonin të promovonin një imazh të ri kulturor të Shqipërisë.
Edhe ndërtesa historike e Qeverisë së Vlorës, e kthyer prej tij në Muzeun e parë arkeologjik të Shqipërisë dhe e arritur në ditët tona si Muzeu i Pavarësisë, i detyrohet kujdesit dhe largpamësisë së Leon Reyt.
Për gjithë kontributin e jashtëzakonshëm për vendin tonë, ne i mbetemi borxh kujtimit të Leon Reyt. Me dekorimin e sotëm, shpresojme të kemi shlyer një pjesë të këtij detyrimi.
Jean Gabriel Rey, i biri i Leon Reyt, mbajti të gjallë përkushtimin dhe miqësinë ndaj Shqipërisë të babait dhe të veprave të tij, duke vlerësuar thellësisht mirënjohjen shqiptare.
Tregues i këtij vlerësimi ishte sjellja dhe dhurimi nga ana e Jean Gabrielit të arkivit apolonian të Leon Reyt për Arkivin e Shtetit në Tiranë.
Dëshmi e këtij vlerësimi reciprok është gjithashtu angazhimi gjysmëshekullor i Jean Gabriel Reyt në ruajtjen e miqësisë franko-shqiptare, në rrugën e hapur nga Justin Godart dhe Leon Rey; dhe po ashtu, filmi dokumentar mbi Leon Reyn i titulluar ‘Perënditë kishin të drejtë’, i personalitetit të njohur kulturës dhe politikës franceze, Frederic Miterrand, ish-ministër i kulturës, bazuar në librin biografik mbi Leon Reyin, shkruar nga Jean Gabriel.
Të gjitha këto kanë qenë një motiv më se i mjaftueshëm për mua, që të vlerësoj sot Jean Gabriel Rey, po aq sa të bashkoj në këtë treshe apolloniane edhe shqiptarin e shquar, arkeologun Hasan Ceka.
Si themelues i arkeologjisë shqiptare, Hasan Ceka kujtohet edhe sot si arkeologu më i shquar shqiptar edhe në planin ndërkombëtar.
Vetë jeta e tij është emblematike. Një i ri shqiptar, nisur nga Shqipëria për të studiuar arkeologji në Vjenë, në vitin e turbullt 1918.
Një arkeolog i ri, që kthehet dhe gjen një ambient pothuaj armiqësor në Butrintin e Ugolinit, por një kantier të vërtetë pune, por edhe miqësie dhe patriotizmi franko-shqiptar në Apoloninë e Leon Reyt.
Ishte pikërisht kjo frymë, që bëri që arkeologu Hasan Ceka, në vitin 1948, të realizonte ekspeditën arkeologjike të Apolonisë, pikërisht aty ku e kish lënë mësuesi i tij Leon Rey.
Gjithashtu, në shembullin e tij, të realizonte edhe Muzeun Arkeologjik të Tiranës, që vazhdon të ekzistojë edhe sot si institucion.
Shkenca shqiptare e arkeologjisë i detyrohet shumë Hasan Cekës për fillimet e studimit shkencor të prehistorisë, antikitetit ilir dhe vazhdimësisë ilire- shqiptare.
Ai ishte personaliteti shkencor dhe njëkohësisht njerëzor, rreth të cilit u konsolidua dhe u frymëzua bërthama e arkeologëve të shquar shqiptarë.
Me vlerësimin e sotëm, ne mendojmë të kemi vlerësuar të gjithë atë gjeneratë, të një periudhe të jashtëzakonshme të zbulimeve të mëdha arkeologjike në Shqipëri, por edhe të personaliteteve të papërsëritshëm shqiptarë e francezë të kësaj fushe, kaq të rëndësishme për shkencën dhe historinë e Shqipërisë