Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka hedhur poshtë me përbuzje sot, lojën politike dhe mediatike që ka nisur kundër tij, kreu i Qeverisë Edi Rama, i cili ka angazhuar në sulmet më të fundit ndaj ish-Presidentit, edhe Autoritetin e Dosjeve për të hedhur dyshime sikur ka qënë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit të PPSH.
Meta qartësisht e lidhi këtë sulm me revolucionin antikorrupsion - aksionin politik që ai ka nisur me vrull në emër të partisë së re të sapokrijuar me emrin Partia e Lirisë dhe që operon vetëm me denoncime faktesh korruptive, që kohët e fundit e kanë tronditur qeverinë.
Z. Meta, që kurse nisët këtë aksion antikorrupsion, Autoriteti i Dosjeve ju akuzon si bashkëpunëtor të ish-Sigurimit me një dosje të dorëzuar edhe në Kuvend.
Ilir Meta; Po si mund t’i shmangem unë një përgjigjeje, pavarësisht se nuk ka shqiptar mbi këtë tokë që nuk e kupton që me këtë akt, vetëvrasës, sepse Autoriteti i Dosjeve, para se të jetë autoritet ligjor, është autoritet moral...
Ky është vetëm për të ardhur keq për Autoritetin e Manipulimit dhe të Kriminalizimit të Dosjeve pse ata e dinë më mirë se kushdo se çfarë ka, çfarë s’ka, sa e vërtetë dhe sa e manipuluar është në ato dosje që thonë ata.
Me një e-mail anonim elektronik, që jam i sigurt se kur të bëhet publik do të gajaseni të gjithë, na qenka zbuluar se qenka një I.M. i cili... normalisht sipas lojërave dhe aludimeve të qëllimshme nga shkresa e Autoritetit dhe tashmë nga parlamenti dhe mediat e inceneratorëve që lëshojnë “bomba” e kështu me radhë dhe ju e dini për çfarë bombash e kam fjalën, se do të ruajmë edhe etikën, pra, “u zbulua” pas 30 e ca vjetësh, IM na qenka ky njeri që në mars 1992 është bërë deputet dhe i është nënshtruar të gjithë filtrave dhe komisioneve të të gjitha kohëve, që nga i zotit Berisha që nuk e kaloi gjysma e asaj partisë ku isha unë atëherë që tani është kthyer në një parti patronazhistësh dhe sigurimsash apo fuksash e deri më pas në kohën e Fatos Nanos dhe të gjithë kohërat , përfshirë edhe kohën e këtij Autoritetit të tanishëm.
Tani, pse bëhet kjo?! Po çfarë i kushtonte këtij Autoriteti që qenka shqetësuar që të thërriste IM nëse kishte jo bindjen, por edhe dyshimin se ai mund të ishte ky këtu, që nuk është IM, por Ilir Rexhep Metaj. Që ka emër, që ka babë dhe që ka mbiemër!
Unë s’jam as President, as deputet dhe pse u dashka bërë me urgjencë një ligj i posaçëm që t’i lejoka ata që nuk paskan ditur gjë, që të verifikojnë dhe kontrollojnë?! A ka njeri që e beson këtë?!