Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta thotë fenomeni i shpopullimit po tkurr dhe plak popullsinë në Shqipëri.
Meta shkruan në një status në rrjetet sociale se PL do të ketë një program të veçantë për të mbështetur familjet e reja që të ndërtojnë të ardhmen në vendin e tyre.
Ai shton se është koha për të rikthyer shpresën dhe besimin se Shqipëria ka diell për të gjithë, veçanërisht për fëmijët e saj.
“Shpopullimi po e tkurr dhe po e plak Shqipërinë. Një tjetër tregues negativ për vitin 2022, ku për tre mujorin e dytë regjistrohen 14.8% lindje me pak.
Për familjet e reja bonuset e lindjes janë shumë të ulta, ndërkohë që korrupsioni, papunësia, pagat e ulta, çmimet e papërballueshme të banesave, cilësia e dobët e edukimit dhe mungesa e perspektivës ja u bën jetesën të papërballueshme.
Partia e Lirisë si një forcë e përkushtuar për të çrrënjosur shkaqet e shpopullimit do të ketë një program të veçantë për të mbështetur fuqimisht familjet e reja, që të ndërtojnë të ardhmen këtu dhe të lindin me guxim dhe gëzim fëmijët e tyre në një vend të sigurt, që kujdeset me dashuri dhe përgjegjshmëri për të ardhmen e tij.
Koha është tani për të rikthyer shpresën dhe besimin se Shqipëria ka diell për të gjithë dhe së pari për fëmijët e saj!”, shkruan Meta