Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, e ka cilësuar dy herë armik ashtu si edhe grabitës e tradhtar, kryeministrin e vendit Edi Rama, duke marrë shkas nga një protestë spontane me thirrjet “Rama ik” që shpërtheu mbrëmjen e djeshme gjatë një koncerti të reperit Noizy në sheshin Skënderbej, ku u ndërpre energjia elektrike. Meta garantoi se Rama do të japë llogari shumë shpejt para drejtësisë.
“Ju uroj një javë të mbarë – shkroi Meta në Fb, - me këtë thirrje frymëzuese dhe buçitëse të mijëra të rinjve, për largimin dhe ikjen pa kthim të armikut të së ardhmes së tyre, të grabitësit të miliarda euro të shqiptarëve dhe të tradhtarit të interesave tona kombëtare. Armiku i lirisë, ligjshmërisë dhe rinisë, do të japë llogari shumë shpejt përpara drejtësisë dhe popullit për të gjitha dëmet kolosale, që i ka bërë vendit,” garantoi ai.