Nga Andi Bushati - 15/08/2022
Ka dhe ditë kur propaganda i dorëzohet realitetit dhe padyshim që kjo e sotmja është njëra prej tyre. Lapsi.al ka rimarrë dhe përkthyer dy lajme të botuar si në botën virtuale, po ashtu dhe në mediat ndërkombëtare, që flasin për anën e errët të kryeqytetit tonë.
I pari është një shkrim, këtë radhë jo nga ata të sponsorizuarit të prestigjiozes ‘The Guardian’, e cila bën një radiografi të pamëshirshme të kullave që po ngrihen në Tiranë. Interesant në thelbin e tij nuk është shkatërrimi i traditës, prishja e shtëpive të vjetra, ndërtimi me paratë e krimit, fluturimi i papërballueshëm i çmimeve të apartamenteve, tema të cilat janë shtjelluar gjatë edhe në Shqipëri, nga ata që kryeministri ynë i ka skualifikuar me një të rënë të lapsit si ‘kullofobë’.
E veçanta e artikullit të ‘The Guardian’ është ironia me faktin se koka gjigante e Skënderbeut, që po lartësohet në krah të hotel Tiranës, nuk është çudi të ngjajë gjithnjë e më shumë me portretin e autokratit tonë, duke lënë të kuptohet se ai vendos gjithçka për këto grataçiela.
E dyta qëndron në faktin se shkrimi nxjerr zbuluar hipokrizinë dhe falsitetin e atyre që këtu pompohen si mjeshtra të mëdhenj të arkitekturës botërore, por që në Tiranë i lejojnë vetes vepra nacionalisto-korruptive mbi projektet e të cilave nuk do të kishin guxuar kurrë të nënshkruanin në vendet e tyre.
E pra, sipas The Guardian, Tirana nuk është qyteti modern të cilit po i rilind fytyra, por kryeqyteti i një vendi ku një njeri i vetëm po e përçudnon sipas orekseve dhe tekave të tij.
Ajo nuk është gjithashtu as qyteti tashmë më i pastër falë inceneratorëve, më i lehti për të bashkëjetuar të gjitha shtresat sociale, më i sigurti, apo më joshësi nga pikëpamja e cilësisë së jetesës. Të gjithë ata që shohin përditë Erion Veliajn në ekranet e mëdha që janë shndërruar në bori të promovimit të tij, ose duke mbjellë një pemë, ose duke inauguruar një park, ose duke prerë shiritin e një rruge të re, duhet të dinë se ai është kreu i qytetit më të ndotur në Evropë.
Sipas Numbeo, një organizëm me baza jo saktësisht shkencore, por që mbledh të dhëna nga e gjithë bota, kryeqyteti ynë ka cilësinë më të keqe të jetës në kontinent dhe klasifikimi i tij renditet poshtë e më poshtë, çdo vit që kalon.
Edhe nga kosto e jetesës edhe nga siguria edhe nga shtrenjtësia edhe nga çmimet e shtëpive, Tirana klasifikohet nga fundi dhe e vetmja gjë që bën diferencën është ajo që nuk varet tërësisht nga njeriu, klima e saj që i ngre disa pikë.
Pra për pastërtinë, trafikun, krimin, kujdesin shëndetësor dhe shtrenjtësinë, ndryshe nga ç’buçasin daullet e propagandës që na shurdhojnë përditë, Tirana renditet mes vendeve të pajetueshme. Një qytet ku të mbyt zhurma dhe tymi i betonierave dhe ku nuk jeton dot denjësisht me të ardhurat që fiton nga puna.
Po të shohësh këto të dhëna, që janë tejet larg nga imazhi që na përcjellin pronarët e TV që janë pothuajse të gjithë ndërtues, Tirana është një qytet që duhet braktisur, nga i cili duhet ikur një orë e më parë për të shpëtuar cilësinë minimale të jetës.
Por, kjo nuk është kaq e thjeshtë. Sepse vite e vite të tëra ethesh për fitim dhe politikash të mbrapshta që nuk i kalojnë dot interesat e xhepit të vendimmarrësve, kanë ndjekur një rrugë që ka sjellë shpopullimin e gjithë krahinave të tjera dhe mbledhjes së parasë, kapitaleve apo vendeve të punës në kryeqytet. Kështu është krijuar një rreth vicioz, që për të jetuar më mirë duhet ti ikësh, por ama kjo arratisje bëhet e pamundur për arsye financiare.
Tani për tani këtë luks, kanë të drejtën dhe mundësinë ta ëndërrojë vetëm një grusht i vogël të kamurish. Por as ata nuk largohen, sepse janë të njëjtit që po lartësojnë ato monumentet nacionalisto korruptivë që herë marrin formën e atdheut e herë atë të Skënderbeut.