Kryetari i PD-së, Sali Berisha, u shpreh qartë sot se nëse Grupit Parlamentar i PS-së synon të bëjë një ligj që të mos lejojë praninë e tij në Parlament, një ligj anti-Berishë siç e quajti, kjo do ta nxiste edhe më shumë vrullin dhe hovin e kësaj opozite.
Pyetja që iu drejtua z. Berisha dhe përgjigja ishte si në vijim:
Z. Berisha, ju thatë se ligji që socialistët pretendojnë ta kalojnë në Kuvend në shtator për dekriminalizimit, në fakt ishte projekt për të lënë Metën jashtë Kuvendit, pasi një nga pikat ishte të linin jashtë Kuvendit personat që kishin lidhje me ish-Sigurimin. Por një pjesë tjetër e këtij projektligji është të mos lejohen të kandidojnë dhe të mbajnë poste të rëndësishme, personat e shpallur non grata nga SHBA apo shtetet e BE. Si do të veproni në rast se ky projektligj do të kalojë në Kuvend?
Berisha: Në një tekst që kam parë unë kjo nuk ekziston, por nëse dëshirojnë i ftoj ta bëjnë. Nuk kam asnjë lloj…Ka standarte europiane të qarta, ka rezoluta Parlamenti Europian për të gjitha këto. Në qoftë se do të bëjnë një ligj anti-Berishë, ta provojnë! I siguroj se vrulli dhe hovi vetëm do të rritet. Në ligj, që të jemi saktë, në draftin e tyre që ma kanë sjellë bashkëpunëtorët e mi, ata kanë “Lustracionin”.