Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka mbajtur mbrëmjen e sotme një fjalë përshëndetëse në kampin e të rinjve të kësaj force politike në Jalë, ku ka paralajmëruar qeverinë e drejtuar nga Edi Rama se “i ka ardhur fundi” ndeshjeve të trukuara me opozitë false.
“Dhe mos harroni ‘It’s the Final Countdown’. Iku koha e ndeshjeve të trukuara dhe opozitës në xhepin e Edi Ramës. 90% e shqiptarëve presin ndryshimin dhe e presin tani”, tha Meta
Ish-Presidenti theksoi se javët e para të shtatorit do të shënojnë një pranverë të jashtëzakonshme në politikën shqiptare, dhe rinia do të jetë motori i lëvizjes që do ta bëjë Shqipërinë zonjë.
“Unë jam shumë optimist që ditët e para dhe javët e para të shtatorit do të jenë një pranverë e jashtëzakonshme edhe pse shumë e vonuar. Dhe është e vërtetë siç ia kam thënë atij djalit nga Vlora dhe e kam menduar shumë mirë se “pranvera vjen çdo ditë, por rinia veç njëherë”.
Ta bëjmë Shqipërinë zonjë, vend krenar dhe vendin e gjithë shqiptarëve të lumtur, sepse Shqipëria siç e keni parë dhe ju në Jalë ka diell për të gjithë. Ndaj duhet triumfi i lirisë mbi tiraninë. Ne do të fitojmë dhe do t’u japim lirinë dhe patronazhistëve dhe ata do ndihen më të mirë dhe do kenë mundësi të shkëlqyera”, deklaroi ai