Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka folur në lidhje me formulën e bashkëpunimit me Partinë Demokratike të drejtuar nga Sali Berisha, në zgjedhjet e ardhshme lokale
Meta u shpreh se PL ka prioritet vendosjen e demokracisë në vend ndërsa shtoi se janë të hapur për të mbështetur kandidatët më të mirë mes dy forcave politike.
Ai shtoi se do të negocionin edhe për primare të përbashkët për të bërë zgjedhjen e kandidatëve.
“Partia e Lirisë ka prioritet vendosjen e demokracisë në vend. Ne si PL do të bëjmë çdo gjë për të rivendosur llogaridhënien. Jemi shumë të hapur për bashkëpunim me PD për të mbështetur kandidatët më të mirë në të gjithë vendin pavarësisht se nga janë dhe kujt i takojnë.
Fryma për ndryshim është shumë më e madhe se kaq. Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë për të zgjedhur ata që do i përgjigjen kësaj fryme. Unë jam partizan i hapjes totale për kandidatët më të mirë.
Ata mund të jenë politik. Profili më i mirë mund të jetë vetë primarja. Jemi të hapur edhe për primare të përbashkët. Jemi për çdo proces të hapur demokratik.
Kush ka një vizion më të mirë dhe pastaj të mbështeten të gjithë. Çdo forcë politike lufton për peshën e saj. Për kandidatët jemi të hapur për të bashkëpunuar. Mendoj se nuk duhet të ketë ndarje administrative”, deklaroi Meta