Partia e Lirisë e drejtuar Ilir Meta nuk do të jetë partia e vetme me të cilën Partia Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha do të bashkëpunojë për zgjedhjet e ardhshme lokale.
Zyra e shtypit e PD-së njoftoi dje se: “Kryetari i PD-së, Sali Berisha, është takuar me kryetarët e partive aleate. U diskutua për bashkëpunimin për zgjedhjet e ardhshme vendore dhe u ra dakord të dalin në zgjedhje me kandidatë të përbashkët. Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, zhvilloi një takim me kryetarin e Partisë Republikane z. Fatmir Mediu, kryetarin e Partisë së të Drejtave të Njeriut, z. Vangjel Dule, kryetarin e Partisë Agrare – Ambientaliste, z. Agron Duka, dhe kryetarin e Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, z. Dashamir Shehu. Në këtë takim u diskutua për bashkëpunimin midis këtyre forcave politike në zgjedhjet e ardhshme vendore dhe u ra dakord që këto forcat politike të dalin në zgjedhje me kandidat të përbashkët. Takimi u karakterizua nga fryma e mirëkuptimit të plotë”.
Gazeta “Panorama” ka mësuar se kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha është takuar me aleatët e vegjël të PD-së të sipërpërmendur ditën e hënë. Ndërkohë, pasi kanë dakordësuar për të dalë me një kandidat të përbashkët, është diskutuar edhe formula se si mund të zgjidhen kandidatët. Të gjitha palët kanë rënë dakord parimisht se kandidatët për kryetar bashkie nga ana e opozitës së bashkuar mund të zgjidhen me dy formula. E para është procesi i primareve që ka iniciuar Partia Demokratike, por në rast se ka pretendime nga aleatët për kandidatë, të lejohen edhe simpatizantët e tyre të votojnë.
Një tjetër formulë është diskutuar që nëse ka pretendime nga ana e disa partive për kandidatë të fortë, të zhvillohen sondazhe për kandidatët dhe më preferuari të mbështetet nga të gjitha forcat politike. Megjithatë, ajo që është bërë e sigurt në takimin e së hënës, ka qenë dakordësia për të dalë në një kandidat të përbashkët, ndërsa modalitetet do të diskutohen edhe në vijim, pasi mësohet se Berisha është shprehur se do të vijojë takimet edhe me partitë, të cilat nuk janë parlamentare.
Sakaq, edhe me Partinë e Lirisë të drejtuar nga Ilir Meta, Berisha arriti dakordësinë për të dalë në zgjedhje me një kandidat të përbashkët. Kryetari i PL-së u shpreh në një konferencë për mediat se PL-ja do të dalë forcë e parë sa i përket këshillave bashkiakë, ndërkohë kërkoi nga Partia Demokratike të tregohet e kujdesshme në zhvillimin e primareve, pasi sipas ish-kr eut të shtetit, në zgjedhjet lokale opozita përballet me një bandë mafioze siç tha ai.