Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi paralajmëroi se protestat që sot nisën nga Elbasan do të shtrihen në të gjithë Shqipërinë. Në një komunikim me gazetarët, ai u shpreh se qytetarët janë të revoltuar jo vetëm për rritjen e çmimeve, por edhe për pasigurinë e jetës së tyre.
Boçi theksoi se po afrojnë zgjedhjet dhe qeverisë i duhen para për të blerë votat dhe një nga format e vjedhjes sipas tij, është ajo përmes rritjes së çmimit të karburanteve.
“Nuk është vetëm çështja e rritjes së naftës, është rritur pasiguria, është problemi i shpopullimit, ndaj duhet reagim qytetar. Të parët sot janë qytetarët e Elbasanit. Krahas asaj urtësisë klasike, Elbasani ka edhe pjesën e revoltës
Rritja e çmimit të naftës është një vjedhje e hapur. Bordi është antikushtetues dhe qeveria sa herë ka nevojë për para, që i përdor për luksin e saj, ua rrëmben shqiptarëve në forma të ndryshme, një nga këto forma është edhe përmes karburantit.
Nuk ka paketa ndihme ndaj krizës, nuk ka ndihmë për studentët, shtresat në nevojë. Situata bëhet më revoltuese kur çmimet në burse bien në mënyrë progresive, ndërsa në Shqipëri rriten në mënyrë të menjëhershme
Ka një situatë zgjedhore përpara dhe qeverisë i duhen para për të blerë votat.
E nisëm këtu nga Elbasani si shkëndijën e parë, për ta shtrirë në gjithë Shqipërinë. Nuk ka më kohë për të humbur, është shkelur ekonomia jonë, por edhe dinjiteti ynë. Le të shërbejë për të gjitha revoltat që do shpërthejnë në gjithë Shqipërinë”, tha ndër të tjera Boçi.