Kryetari demokrat, Sali Berisha foli për mediat jashtë sallës së Kuvendit, pasi atij nuk iu lejua që të fliste në foltoren e Kuvendit, ku kërkoi 1 minutë heshtje për të riun Lear Kurti.
“Kriminelë me uniformë i morën jetën të riut Lear Kurti. Kjo është një vrasje shtetërore e shëmtuar, e banditëve të Edi Ramës dhe ministrit të tij të familjes, Çuçi.
Por shpreh revoltën time më të fuqishme ndaj këtij akti kriminal të përsëritur të vrasësve me uniformë, për të cilët nuk ekziston asnjë lloj norme, ligji apo morali. Ky është akti i disatë që vrasës me uniformë u marrin jetën të rinjve në rrugë, në makinat e policisë apo komisariat. Ky akt i shëmtuar është një dëshmi tjetër se Shqipëria qeveriset nga një bandë e udhëhequr nga Rama dhe miku i familjes, Çuçi.
Edhe ky është një akt i shëmtuar. Nuk ka sesi, nuk janë rastësi këto përsëritje periodike. Policia është e mbushur me vrasës dhe trafikantë, është e mbushur me patronazhistë kriminelë. Ndaj ndodhi këto. Po të marrësh vrasjet nga policia në harkun 18-mujor, janë më të shumta se në SHBA dhe Europë të marra së bashku.
Ndaj këtu mbetet vetëm protesta dhe përballja me këta hajdutë për shpëtimin e jetës,” tha Berisha.