Lidhur me vdekjen në komisariat të 32-vjeçarit Lear Kurti, Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka ngritur sot 12 pyetje "mbi bazën e disa fakteve publike ulëritëse që rëndojnë edhe më shumë paligjshmërinë ku është zhytur, Policia e Ramës", siç theksoi ai sot në një deklaratë para mediave dhe renditi:
- Cila është arsyeja që policia deklaroi që i riu vdiq në spital, ndërkohë që spitali konfirmoi se ka ardhur i vdekur?
Cilët janë arsyet që autopsia u bë para kohës së detyruar me ligj, sepse autopsia është bërë 5 orë pas vdekjes dhe jo 12 orë sipas ligjit? Dhe u bë nga një ekspert i vetëm, ndërkohë që duhej të bëhej nga një grup ekspertësh?
- U përdor si argument që në trupin e të ndjerit u gjet një qese plastike me kokainë, ndërkohë që për arritjen e konkluzioneve, duhet patjetër të kompletohen të gjitha analizat toksikologjike, për të vërtetuar nëse substanca ishte vërtet kokainë dhe e dyta cila ishte niveli i saj në gjak?
- Duke qenë se vendngjarja ishte jo më larg se 100 metra nga spitali i Traumës, përse nuk u transportua direkt në spital për të marrë ndihmën mjekësore, por u dërgua direkt në komisariat?
- Si është e mundur dhe si ka mundësi që është lejuar që edhe në krevatin e spitalit, i shtruar, Lear Kurti ka qenë me pranga në duar?!
- A kanë pasur kamerat trupi punonjësit e policisë dhe çfarë evidentojnë ato?
- A kanë funksionuar kamerat në komisariat dhe çfarë evidentojnë ato?
- A ka pasur komunikim të patrullës me sallën operative dhe a është i regjistruar ky komunikim?
- Nëse është e vërtetë që i riu ka gëlltitur qesen, përse nuk u pritën analizat toksikologjike për të vërtetuar llojin e lëndës narkotike dhe sasinë e saj në gjak?
- Pse u ndryshua versioni nga sëmundje zemre në epilepsi e më pas te ‘gëlltitja e qeses’?
- A ka patur prezencë të përfaqesuesit ligjor të familjes gjatë autopsisë? A është marrë miratimi i familjes për kryerjen e autopsisë?
- A janë parë kamerat e zonës për veprimet e personit dhe të patrullës?
Janë tronditëse dëshmitë e shokut të ngushtë, prezent në vendngjarje dhe nënës së tij, të cilat pasqyrojnë më së miri veprimet barbare dhe të dhunshme të policisë së Ramës, nënvizoi kryetari i PL-së.