Përballë ngjarjeve të rënda kriminale të kohëve të fundit me përfshirjen e Policisë së Shtetit, Partia e Lirisë gjykon se situata ka vetëm një zgjidhje: largimin e Kryeministrit Edi Rama dhe të Ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi dhe procedimin e kreut të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, ish-drejtuesit të lartë Ardi Veliu.
Ndërkohë, institucione si Prokuroria dhe Avokati i Popullit duhet të bëjnë menjëherë transparencën e plotë të vdekjes së Leart Kurtit në komisariat.
Ilir Meta deklaroi sot sot se “kjo situata kriminale që ka mbështetës dhe frymëzues personalisht Edi Ramën ka vetëm një zgjidhje: Largimin e menjëhershëm të Ramës, Ministrit të Brendshëm Çuçi si përgjegjësit kryesorë të krimit shtetëror të përsëritur. Të procedohet Ard Veliu manipulues i disa ngjarjeve shumë të rënda kriminale të policisë së Ramës.
Prokuroria duhet të zbardhë tërësisht ngjarjen, jashtë çdo ndërhyrjeje dhe presioni qeveritar dhe policor.
Avokati i Popullit duhet të bëjë sa më parë transparencën e gjithë kësaj ngjarjeje kriminale me pasoja tragjike.
Koha nuk pret për të parandaluar vrasje të tjera të qytetarëve nga policia e patronazhistëve të Edi Ramës që atij i duhet vetëm për të vjedhur votat dhe për të dhunuar qytetarët e Shqipërisë. Koha nuk pret për të parandaluar fatkeqësi dhe tragjedi të tjera për familjet shqiptare dhe tronditje të tjera për të gjithë opinionin shoqëror në vendin tonë.
Ndaj i bëj thirrje medias dhe shoqërisë civile të monitorojnë hetimin dhe njëkohësisht të ecim të gjithë së bashku në transparencë të plotë deri në ndëshkimin e autorëve të kësaj tragjedie që mban vetëm një emër policia patronazhiste e Edi Ramës.”
Meta në fjalën e tij kujtoi ngjarjet e mëparshme të dhunës policore, të ngjashme me rastin e Leart Kurtit:
"Ishte policia e Ramës që shkaktoi vetëvrasjen e 31-vjecarit Ilvi Meta në paraburgimin e Kavajës. Ishte policia e Ramës ajo që vrau 27-vjeçarin Enea Ftoi, babain e tre fëmijëve në Komisariatin e Korçës. Ishin policët e Ramës që i morën jetën vogëlushes Joniada Avdiaj në Himarë. Është policia e Ramës që dhunon të rinjtë e të rejat në protesta të drejta dhe legjitime, i dhunojnë me policë të maskuar me xhupa dhe kapuç të zinj, që sillen si kriminelë dhe që nuk kursejnë as gazetarët me dhunën e tyre në prani të kamerave," tha ai.