Kryetari i PL, Ilir Meta, ka folur për mediat sapo ka dalë nga takimi me kryetarin e PD-së, Sali Berishën. Ai konfirmoi se ata kishin diskutuar për bashkëpunimin në zgjedhjet lokale.
I pyetur nga mediat nëse kanë përcaktuar një emër për kandidat të përbashkët në krye të bashkisë së Tiranës, Meta tha vetëm se emri “i takon primareve dhe emrin do ta mësoni shumë shpejt.”
Por, nën këmbënguljen e gazetarëve ai tregoi se kishte propozuar një emër për të drejtuar atë që e quajti parlamenti i Tiranës dhe zbuloi vetëm vetëm një detaj: “është superpolitikan!”
Meta theksoi se "Partia e Lirisë respekton primaret, është një risi e jashtëzakonshme. Kemi kërkuar që sa më shpejt të realizohet ky proces, kudo ku ne si Partisë e Lirisë kemi kandidatë, të cilët premtojnë për komunitetin e tyre, do t’i përfshijmë në primare të përbashkëta me Partinë Demokratike dhe me parti të tjera të opozitës.
Po kështu është e rëndësishme që kandidatët që do të jenë të respektojnë njeri-tjetrin, përndryshe ai që shfrytëzon primaret për të dëmtuar kandidatët e tjerë dhe jo për të shpalosur vizionin e tij, të opozitës për bashkim, të përjashtohet nga gara", nënvizoi kryetari i PL para se t'u përgjigjet pyetjeve.
Pyetje: A morët sot një emër për kryetarin e bashkisë së Tiranës nga z. Berisha dhe nëse jo, a ka një profil se si duhet të jetë?
Meta: Nuk kam pasur asnjë diskutim për emrin që do të jetë në Tiranë dhe kudo tjetër për arsye se ky është një proces që i takon primareve dhe do të respektojmë çdo emër që del nga primaret. Por i kam propozuar një emër z. Berisha për kryetar të parlamentit të Tiranës, të cilin ai e priti me shumë kënaqësi dhe të jeni të sigurt se parlamenti i ardhshëm i Tiranës do të jetë institucioni më i rëndësishëm deri në parlamentin e ri të Shqipërisë.
Pyetje: Një emër, z. Meta, a është i politikës?
Meta: Do ta mësoni shumë shpejt. Një gjë ta dini, Çdo ditë të hënë do të ketë këshill bashkiak të Tiranës për të dëgjuar qytetarët. Nënë Liza nuk do të rrijë më atje në rrugë e keqtrajtuar nga Policia bashkiake por do të flasë aty në parlamentin e Tiranës.
Pyetje: Po pse nuk e bëni publik emrin, z.Meta?
Meta: Tani, unë jam i kujdesshëm për…
Pyetje: I përket politikës, është person publik?
Meta: Është superpolitikan!