Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, së bashku me prof. Petraq Milon, dha sot një konferencë të përbashkët për shtyp për të shprehur shqetësimet më të thella për paketën fiskale që është paraqitur nga qeveria në kushtet kur vendi po kalon një krizë të jashtëzakonshme ekonomike dhe sociale, e cila ka goditur rëndë rritjen ekonomike dhe sidomos prodhimin, por edhe punësimin.
“Partia e Lirisë- tha Meta, - angazhohet të denoncojë me forcë në parlament dhe kudo, këtë tentativë fashiste që rrezikon më tej përkeqësimin e klimës së biznesit përmes rritjes së dhunës dhe represionit. Mjafton kërcënimi fashist për dhjetëfishimin e gjobave nga Edvin Kristaq Rama për të kuptuar edhe njëherë tjetër se është koha për t’i dhënë fund njëherë e mirë kësaj bande në qeverisjen e vendit, e cila po varfëron çdo ditë qytetarët shqiptarë dhe që kujton se mund të zgjasë ditët e saj vetëm përmes shantazhit, sidomos ndaj biznesit dhe sipërmarrjes së ndershme dhe duke dhjetëfishuar kostot e projekteve që u jep oligarkëve dhe klientëve të vet në kurriz të gjithë qytetarëve të Shqipërisë.”