Publikisht, së paku në këto 3 pika, sfida e kryeministrit shqiptar ka qenë e hapur dhe arrogante. Ndonëse në formë ai ka të drejtë, pasi reforma në drejtësi nuk u bë që ambasadorët të qëndrojnë pas dere sa herë gjykatat marrin një vendim; ndonëse parimisht ai nuk gabon kur ua përplas në sy me guximin e një sovranisti, se paratë e krimit shqiptar nuk kanë pse i gëzojnë britanikët përpara hasianëve, sërish, në këto qëndrime, ka një devijim nga shinat e mëparshme.
Tani ka ardhur koha që edhe burokratët e vegjël që merren me punët e Shqipërisë të kuptojnë se janë në zanafillë të këtij ndryshimi kursi. Sepse me qëndrimet e tyre për një kohë të gjatë, me mbështetjen pa kusht që i kanë dhënë, ata e kanë transformuar yes-manin e dikurshëm në një njeri të aftë për tu rebeluar.
Ata kanë mbyllur sytë përballë degradimit të shpejtë të demokracisë, blerjes së mediave, korruptimit të shoqërisë civile dhe tkurrjes së pareshtur të lirive.
Ata i kanë quajtur normale, si zgjedhjet lokale moniste, po ashtu edhe parlamentin ku një shportë karavidhesh luanin rolin e opozitarëve fallco.
Ata, në rastin më të mirë janë treguar indiferentë dhe në atë më të keq kanë përshëndetur “fitoren historike” për zgjedhjet e blera me paratë e drogës dhe të dhunuara me banda si ato të Elbasanit.
Ata kanë dëshmuar zell në goditjen sistematike të çdo opozitari, që kur i etiketuan liderët e PD-së dhe LSI-së si njerëz që punonin kundër interesit të popullit të tyre e deri te manovra e ndyrë dhe përçarëse e “non-gratas”.
Pra, në këto 9 vite qeverisje, ata kanë toleruar asgjesimin e të gjitha kundër pushteteve dhe dobësimin e skajshëm të opozitës duke ndihmuar me duart e tyre formëzimin e një autokrati të pakontrollueshëm.
Sot Edi Rama nuk i trembet më as ndëshkimit ligjor, nga një drejtësi që e ka vënë nën këmbë, as atij politik, nga një opozitë e telendisur dhe e përçarë. Partnerët tanë për herë të parë në këto tre dekada kanë lëshuar levën që gjithmonë e kanë pasur në duar, mundësinë për të ushtruar presion mbi një lider që u devijon nga shinat. Duke miratuar ose pranuar në heshtje rafshimin gjithçkaje përreth Edi Ramës ata kanë përgatitur ditën kur ai do ti sfidonte publikisht dhe në mënyrë moskokëçarëse.
Si rezultat i kësaj trajektoreje u prodhua grisja e marëveshjes së 5 qershorit të cilës i afishuan fytyrat ambasadorja amerikane, homologu i saj anglez dhe ai i BE, për të ndryshuar më pas, në mënyrë të njëanëshme, regullat e zhvillimit të lojës zgjedhore. Si pasojë e kësaj është mendësia shpërfillëse se raportet e Departamentit të Shtetit janë kotësiara që riprodhohen me “copy paste” vit pas viti, apo denduria e kritikave ndaj një BE-je jo funksionale dhe busullhumbur.
Prandaj, tani, diplomatët perendimorë po shohin me habi, se si njeriu që dikur u thoshte se i ka firmosur letrën e bardhë për të reformuar drejtësinë shqiptare, tani u tregon kufirin e mos përzieries në të. Prandaj ata po ndihen të sfiduar, kur e shohin se apelet për të mos e shndëruar Shqipërinë një një lavatriçe të parave të krimit, bien në vesh të shurdhër. Ata i kanë krijuar kushtet që kjo të ndodhte një ditë. E ndonëse kurësesi shqiptarët nuk mund të shfajësohen duke i lënë fajin ndërkombëtarëve për regjimin që është instaluar në Tiranë, as këta të fundit, nuk mund të bëjnë sikur u gdhinë një ditë papritur dhe u ndeshën përballë me një autokrat./LAPSI