Gënjeshtra dhe shpifja sado që të përsëriten, nuk bëhen as më të besueshme, as më të bukura; e kundërta ndodh me to.
Lidhur me këtë sulm theksoj dhe njëherë sa vijon:
Shpallja ime non grata 8 vite pasi kisha hequr dorë nga çdo rol udhëheqës dhe vendimmarrës në Partinë Demokratike, por me një autoritet moral mes demokratëve dhe në shoqërinë shqiptare, kishte dhe ka si qëllim kryesor të ndihmohej qeveria e Edi Ramës, e cila është me e korruptuara në Europë, dhe të dëmtohej opozita shqiptare e të përbaltej trashëgimia e saj 30 vjeçare.
Për të gjitha këto, Sali Berisha ka deklaruar në krye të radhës se në momentin kur sekretari i shtetit ose çdo agjenci tjetër e SHBA apo e çdo vendi tjetër mbi tokë, do të paraqesë një provë, dokument të vërtetë të vetëm që fakton akuzën e z. Blinken për korrupsion ndaj tij, ai do të merrte çdo vendim kundër vetes së tij, përfshi këtu largimin përfundimtar nga jeta politike.
Por, ju siguroj se askush dhe asnjë vend në botë nuk kanë dhe nuk do të kenë gjë tjetër përveç shpifjeve dhe trillimeve të mediave të George Soros dhe raporteve me trillime të Edi Ramës.
Meqënëse z. Eskobar në mënyrë të përsëritur u bën thirrje institucioneve shqiptare të krijuara nga reforma sorosiane të hetojnë akuzat ndaj meje; unë i bëj thirrje atij të respektojë minimalisht kërkesat që ju vijnë nga kongresi për të bërë transparencë për këtë vendim të bazuar totalisht mbi shpifje!
Në deklaratën e tij z Eskobar thotë se vendimi nuk ka qenë politik, por në fakt, jo vetëm mungesa e fakteve dhe e transparencës por mbi të gjitha, instrumentalizimi i këtij vendimi është prova më e fortë e substancës, qëllimit madje dhe aktorëve politikë që qëndrojnë pas tij!
Kjo është parë qartë në deklaratat groteske të ambasadores suaj e cila kërcënonte demokratët që mbështesnin Berishën se do të hanin bar!
Tek kërkesa brutale, absurde dhe në dhunim flagrant me sovranitetin e vendit që Sali Berisha të mos futej në parlament!
Tek ndërhyrjet në kundërshtim me Konventën e Vjenës në zhvillimet e brendshme brenda Partisë Demokratike, deri tek thirrjet e hapura ndaj elektoratit se për kë duhet të votojnë, apo presionet ndaj gjykatave për ta bërë shumicën pakicë, të gjitha këto në kundërshtim me sovranitetin e Shqiperisë, ligjet e vendit dhe konventave ndërkombëtare.
Nëse vendimi juaj nuk do të ishte politik, asgjë që ju dhe ambasadorja juaj keni bërë më pas nuk do të kishte qenë e nevojshme, por veprimet tuaja së bashku me mungesën e fakteve dhe transparencën tregoi krejt të kundërtën.
Por, pavarësisht nga këto ndërhyrje dhe ndërhyrjet direkte të Edi Ramës dhe ambasadores Yuri Kim në vendimet e gjykatave kundër PD mbështetja për Sali Berishën dhe Partinë Demokratike tashmë të Rithemeluar mbi bazën e vlerave të saj konservatore është më e madhe se asnjëherë në 9 vitet e fundit, dhe asgjë nuk mund ta ndalojë atë për të shpëtuar Shqipërinë nga regjimi absolutar i Edi Ramës që kontrollon sot të gjitha pushtetet në Shqipëri dhe ka sot, falë mbështetjes së George Soros, 10 përqind me shumë pushtet seç kishte diktatori i fundit komunist në Europë.
Së fundi, dua të sqaroj opinionin se ata që mbështesin Sali Berishën janë burra dhe gra që përmbysën diktaturën, e cila në vend të votave u ofronte bar; janë të rinj dhe të reja që nuk duan të largohen nga Shqipëria. Të gjithë ata nuk pranojnë gënjeshtrën për të vërtetë, shpifjen për realitet dhe as të delegojnë ndërgjegjen e tyre. Ata kane mirënjohje të pakufishme ndaj SHBA për rolin e saj historik në sovranitetin e Shqipërisë dhe të Kosovës, por ata janë patriotë dhe nuk mund të pranojnë kurrë që dikush tjetër përveç qytetarëve shqiptarë të caktojnë deputetet e parlamentit të tyre.
Ata kanë qenë dhe janë pro-amerikanë që besojnë në vlerat e larta të lirisë dhe demokracisë që ndajnë me kombin amerikan.
Demokratët shqiptarë vijnë shumë krenarë për kontributet e tyre në këtë 100 vjetor të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe të vendosur të japin dhe më shumë për miqësinë midis dy vendeve tona në 100 vitet që vijnë.