Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, sot do të vizitojë Kosovën në kuadër të turneut të saj në Ballkanin Perëndimor.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, presidentja Von der Leyen do të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, njofton RTK.
Me rastin e vizitës së Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në Kosovë, Policia ka njoftuar se do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit dhe qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të presidentes së KE-së, bashkë me delegacionin përcjellës në Kosovë.
Prandaj, Policia do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut në intervale të shkurta kohore, të disa segmenteve rrugore drejt kryeqytetit, ku pritet të kalojë eskorta, për çka kanë kërkuar mirëkuptim nga qytetarët.