Ilir Meta, kryetari i PL, pas nënshkrimit të marrëveshjes me Kryetarin e PD-së, Sali Berisha, për bashkëpunim për të fituar zgjedhjet vendore 2023, e konsideroi atë si historike dhe deklaroi se cili ishte qëllimi i saj dhe rëndësia që ajo mbartte.
“Edhe unë do të doja të shprehja kënaqësinë më të madhe për arritjen e marrëveshjes me PD që do ta konsideroja historike, - tha Meta, - se është marrëveshja më parimore që i shërben demokracisë, pluralizmit, llogaridhënies në vend, pasi është një marrëveshje që na angazhon fuqimisht, si PD-në si forca kryesore opozitare në vend, si PL-në, në drejtim të garantimit të demokracisë direkte.
Referendum dhe referendumet, primaret, transparenca, llogaridhënia do të bëjnë plotësisht të mundur që të bëjmë që të kemi një sovran që i ka të gjitha mjetet për të mbajtur nën kontroll ata që u delegon pushtetin, që abuzojnë me të për të shtypur qytetarët.
Si kryetar i PL dua të shpreh kënaqësinë më të madhe që angazhimi madhor që kemi marrë në mbrëmjen e 25 korrikut, sot merr një mbështetje të fortë nga PD si forca kryesore opozitare përsa i përket referendumeve.
Për këtë dua të falenderoj Dr. Sali Berishën por edhe PD-në dhe jam i sigurt se është një marrëveshje historike se nuk do të shërbejë thjesht për kthimin e pluralizimit politik.
Kjo është një marrëveshje që do të garantojë dhënien e fuqisë së munguar deri tani qytetarëve pasi kjo fuqi u është marrë peng nga kapja e shtetit, nga qeveria aktuale dhe në këtë drejtim shpreh bindjen më të plotë në fitoren e padiskutueshme të opozitës, në radhë të parë në Tiranë dhe në shumicën e bashkive.
Katër vjet pushtet në çdo aspekt, ku opozita nuk ka një këshilltar që nuk e gjen as në vendin më të humbur të Afrikës, pra, nuk ka më çfarë të zeze të presë qytetari nga ky model që vjen nga Edi Rama. Falenderoj edhe njëherë PD-në për këtë mirëkuptim të plotë dhe ndaj bindjen se çdo forcë opozitare në parimet që kemi rëndë dakord gjen veten e tij më së miri se është marrëveshje që udhëhiqet nga parimet e demokracisë, transparencës dhe gjithëpërfshirjes."