Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka organizuar këtë mbrëmje një takim me sipërmarrësit në selinë blu. Berisha deklaroi se nisma Ballkani i Hapur po falimenton fermat ndërsa shtoi se prodhimet tona po zëvëndësohen me ato të Serbisë.
"Shumë i nderuar për praninë tuaj dhe shpreh vlerësimin e madhe për kontributin që jepni në zhvillimin e këtij vendi. Ne mblidhemi sot në një moment, katastrofal për këtë vend dhe në këtë katastrofë, askush nuk ka paguar një çmim më të lartë se biznesi.
Kjo është pasiguri totale për biznesin. Pamundësi e plotë për parashikim nga biznesi. Kjo është falimentim për biznesin. Ju u përballët me pasojat tejet të rënda të veprimit të bizneseve të oligarkëve dhe klientelës mbi ju, sepse ata nuk ngopen me qindra milionë që ndajnë me qeveritarët, por vërsulen si kërpudha, ndërmarrjet e tyre analoge me të cilat ju e keni shumë të vështirë të konkurroni.
Edi Rama është një armik i vërtetë i biznesit, i suksesit tuaj, por edhe i shqiptarëve në tërësi.
Biznesi i vogël, gjeneratori absolut i punësimit ra në një falimentim masiv, ç’ka do të thotë një shpunësim masiv i shqiptarëve dhe largim nga vendi. Po ti dëgjosh këta mashtrues, të cilët me propagandën e tyre të neveritshme kujtojnë se mbulojnë çdo gjë me mashtrim, këtu biznesi i vogël është në parajsë, paçka se energjinë biznesi i vogël e paguan 3-4 herë më shtrenjtë seç e paguante pak vite me parë. Paçka se taksën e mjedisit e ka 4 herë më të lartë dhe sistemi i taksave lokale rëndon disa herë më i lartë seç ishte.
Tarifat e ujit po kështu, pra një seri faktorësh të cilët sollën falimentim masiv tuajin.
Tani përpara kemi taksën 23%. Edhe kjo ka pritur janarin që ta vendosë. Kemi të bëjmë me një politikë që synon shkatërrimin e biznesve dhe largimin e shqiptarëve.
Ju sot keni vështirësi absolute të gjeni krah pune sepse po ikin.
Një mik i imi më thotë se shkova në Kuçovë për një punë dhe i them atij biznesmenit si të ja bëjmë për punëtorë, këtu harroje se mund të gjejmë njeri për punë.
Kaq është ajo që unë ofroj, por punëtor nuk gjen. Kthehem në Kavajë tek një tjetër, ai kishte 5 punëtorë dhe i them si i ke gjet. Të 5 janë espulso, i kam zgjedhë me këtë kriter që të mos më ikin. Tragjike. Të paktën 2-3 vite nuk do të ikin."-tha Berisha.