Shqiptarët janë popull i lirë dhe kanë të drjetë të protestojnë! Ky është qëndrimi i ambasadores së Francës në Shqipëri, Elisabeth Barsacq në lidhje me protestën e thirrur nga opozita në 12 nëntor. E pyetur për amnistinë fiskale, ambasadorja franceze u shpreh se pasojat janë paralajmëruar në Progres Raportin e BE për Shqipërinë.
Pak ditë përpara mbajtjes së protestës kombëtare, të thirrur nga opozita në 12 nëntor, ka reaguar ambasadorja e Francës në Shqipëri Elisabeth Barsacq.
Teksa në Kuvend diskutohej paketa fiskale dhe buxheti i vitit 2023, ambasadorja Franceze rikonfirmojë qëndrimin e Bashkimit Europian në lidhje me pasojat që do të ketë vendi, nëse qeveria miraton amnistinë fiskale.
"Sa herë përmendet fjala amnisi fiskale në raport? Në raport thuhet katër herë që në rast miratimi të amnistisë fiskale kjo gjë nuk do të ishte aspak e favorshme. Por unë sa i takon pasojave që doni të dini ju, unë nuk jam personi i duhur që mund t'ju përgjigjet", tha Barsacq.
Ambasadorja foli edhe për emigrantët shqiptarë që përdorin territorin francez për të shkuar ilegalisht në Angli. Për këtë çështje, ambasadorja u shpreh se i takon Bashkimit Europian të diskutojë për masat.