Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi akuzoi kryeministrin Edi Rama në lidhje me aferën e inceneratorëve.
Në emisionin “Now” në Euronews Albania, Kryemadhi u shpreh se Rama i ka transferuar 7 milionë euro një shqiptari në Greqi, i cili punon si bari.
Sipas saj, më e pakta që mund të bëjë SPAK është të ndërpresë paratë.
“Ai zotëria, i jep Vezi Brahajt, që është bari me lopë në Greqi, i shkreti vuan nga kanceri ka 10 vjet atje, i jep 7 milionë euro dhe SPAK thotë është komplekse. Më e pakta që mund të bëjë SPAK është ndërprerja e parave dhe ti nuk flet për këtë gjë. E di sa taksa paguan ti? E di kush është më e shëmtuara sot? Çoheshin deputetët e PS-së, ta dinë shqiptarët për nder që nuk do ua rrisë çmimin e energjisë elektrike Edi Rama”, theksoi ajo.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet për inceneratorin e Elbasanit.
Prokurori i çështjes ka njoftuar këtë të enjte avokatët e ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka dhe Klodian Zotos, për përfundimin e hetimeve.
Ndërkohë avokatët e mbrojtjes kanë 10 ditë kohë të bëjnë pretendimet e tyre në lidhje me këto përfundime që më pas dosja të paraqitet në GJKKO dhe kjo e fundit të vendosë kalimin për gjykim apo jo në seancë paraprake.