Nga Basir Çollaku
Hetuesit, në të dhënat e mbledhura, mbërrijnë në konkluzionin se duhen përgjuar disa persona për të mundësuar prova për të dyshuarit e veprës së ndodhur. Mes tyre zbulohet dhe një numër telefoni i Taulantit, thotë dosja, por realisht ai është numër publikisht i njohur dhe sipas publikimeve të deputetit Balla.
Arsyeja e kësaj kërkese ka të bëjë me faktin se shërbimet policore në kryerjen e hetimeve ne rrugë operative kishin të dhëna për shtetas, të cilët mund të marrin ose transmetojnë komunikime nga të dyshuarit, dhe vëzhgimi i të cilëve mund të çojë në zbulimin e vendndodhjes ose identitetit të të dyshuarve. Kjo është arsye e mbështetur në prova të tjera, të cilat policia dhe prokuroria ia kanë përcjellë gjykatës, e cila është bindur dhe ka miratuar ndër të tjera vënien në përgjim të telefonit të deputetit.
Kështu ka ndodhur edhe me Taulant Ballën, të cilin Gjykata e Elbasanit, bashkë me prokurorinë e këtij rrethi gjyqësor, në vendimin e saj të 17 shkurtit të vitit 2016, nuk mundet ta saktësojë me emër dhe mbiemër, për arsye procedure, frike, komprometimi, apo pushteti...
Është numri i telefonit celular 0682055399, që prokuroria dhe gjykata thonë thjesht njeriu Taulant. Në faqen zyrtare në rrjetet sociale, Taulant Balla ka shënuar ndër të tjera dhe numrin e tij që është konkretisht 0682055399, pikërisht numri i përgjuar nga prokuroria, cilësuar i vlefshëm si veprim hetimor nga ana e gjykatës.
Ligji nuk lë shteg për hamendësime, ai saktëson se: “Me kërkesën e prokurorit, për rastet e lejuara në paragrafin 1, të nenit 221 të Kodit të Procedurës Penale, gjykata autorizon përgjimin me vendim të arsyetuar, kur ai është i domosdoshëm për vazhdimin e hetimeve të filluara dhe kur në ngarkim të personit ekziston një dyshim i arsyeshëm dhe i bazuar në prova se ka kryer një vepër penale”.
Por gjykatësi, ashtu siç ligji e përcakton qartë, ka miratuar kërkesën, pasi kërkuesit e kanë bindur me provat e dërguara në dosje.
Ardian Çapja nga salla e gjyqit pak ditë më parë, akuzoi prokurorinë për veprime dhe mosveprime, të cilat kanë ndikuar në zbardhjen e ngjarjeve të shumta. Ndër të tjera në seancën gjyqësore, Çapja pohoi se përgjimet e njeriut Taulant, politikan i lartë, janë zhdukur, asgjësuar
Gjykata e ka pasur bashkë me prokurorinë, që njeriut Taulant t’i vërë nëpër shkresa edhe mbiemrin Balla.
Po si ndodhi tërheqja e prokurorisë dhe gjykatës me emergjencë?
Nga erdhi urdhri? Si u bind gjykata nga prokuroria me argumentin lapsus pas 46 orë e 50 minutave? Çfarë kishte në materialet e përgjuara? Përse gjykata nuk pohon se ka ose jo transkripte të këtyre përgjimeve, material më të cilat ajo procedurialisht duhet të jetë dosmodoshmërisht e njohur dhe me pas dhe materialin në CD audio, për të identifikuar pretendimet e deriatëhershme?
A është përgjimi i numrit të Taulant Ballës, një përgjim procedural, që kërkohet nga prokurori për të shndërruar në provë materialet e mëparshme të policisë gjyqësore, rreth të cilave ka shërbyer indicia për t’ju drejtuar gjykatës? Natyrisht në një hetim me standard dhe në formën e kërkuar nga ligji po.
Si u bind gjykatësi për të miratuar lejimin e përgjimit të numrit të mbajtur nga Taulant Balla, në kuadër të përgjimeve të personave, të cilët mund të marrin ose transmetojnë komunikime nga të dyshuarit dhe nga shtetas, vëzhgimi të cilëve mund të çojë në zbulimin e vendndodhjes ose identitetit të të dyshuarve ??! Bëhet fjalë për të dyshuar të përfshirë në ngjarjen e rëndë me 3 shkurt 2016 në lokalin e shtetasit Agron Çapja, ku mbeten të vdekur tre shtetas, e u plagosën shtatë të tjerë.
Si paska shërbyer një lapsus edhe për të miratuar edhe ndaluar përgjimin?! Kjo sepse të dhënat e marra nga përgjimet pas vendimit të gjykatës do të shërbenin si prova. Vendimi i gjykatës ka prishur edhe burimin e provave, duke kërkuar asgjësimin e materialeve dhe në serverin e përgjimeve në Prokurorinë e Përgjithshme, duke mos mundësuar nisjen e një procedimi penal. Një hetim serioz i pandikuar këtyre mosveprimeve do të nxirrte përgjegjësinë e oficerëve të policisë, prokurorëve dhe gjyqtarëve të përfshirë në këtë operacion asgjësimi.
VENDIMI I PLOTE
Me datë 03/02/2016, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë Elbasan, ka regjistruar procedimin penal nr. 229, i cili bën fjalë për vepra penale të “vrasje në rrethana të tjetra cilësuese” kryer në bashkëpunim dhe “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, parashikuar nga nenet 79 germa “dh” dhe “e” e 25 dhe 278 të Kodit Penal.
Nga të dhënat që i bashkëngjiten kërkesës së organit të prokurorisë rezulton se:
Me datë 03.02/2016, rreth orës 20.00, në lagjen “Emin Matraxhiu” të qytetit të Elbasanit, pikërisht në lokalin e shtetasit Agron Çapja, persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri, duke vrarë shtetasit Agron Ramazan Çapja, Ardit Enver Sinakoli, dhe Eno Kujtim Bedalli. Në këtë ngjarje janë plagosur shtetasit Ardian Zharri, Fejzulla Çapja, Ferit Muça, Luan Muça, Bujar (Panajot) Rreshka, Florenc Çapja dhe Arnold Çapja.
Shërbimet e Policisë Gjyqësore në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, pas marrjes së njoftimit, kanë marrë informacion si dhe kanë kryer veprimet hetimore për dokumentimin e kësaj ngjarjeje. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës material, një automatik model 56 me nr.11113214 me një krehër pa fishekë, një krehër automatiku model 56 me 26 copë fishekë, 72 copë gëzhoja model 56 me kapsolla të goditura si dhe 3 predha kalibër 7.62 mm, të cilat janë dërguar për ekzaminimet përkatëse laboratorike.
Gjatë kryerjes së veprimeve hetimore në rrugë operative , shërbimet e Policisë Gjyqësore në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, kanë marrë informacione për shtetas, të cilët mund të marrin ose transmetojnë komunikime nga të dyshuarit, si dhe nga shtetas, vëzhgimi i të cilëve mund të çojë në zbulimin e vendndodhjes ose të identitetit të të dyshuarve.
Me datë 04/02/2016, oficerët e Policisë Gjyqësore, të Drejtorisë së Policisë Vendore Elbasan, dhe konkretisht specialisti i hetimit për Krime të Rënda shtetasi Eduart Hasani dhe shefi i sektorit për Krime të Rënda, shtetasi Edvin Ndreu kanë depozituar në prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, një informacion me të cilin kërkojnë përgjimin telefonik të disa numrave të kompanive të telefonisë celulare që operojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë. Me anë të këtij informacioni, Policia Gjyqësore i ka kërkuar prokurorisë të vendosë lejimin e menjëhershëm të përgjimit edhe për numrin e telefonit celular 0682055399, që përdoret nga një shtetas me emrin Taulant.
Me vendimin e datës 04/02/2016, duke respektuar kërkesat ligjore të parashikuara në nenin 222 pika 2 të Kodit të Procedurës Penale, prokurori ka vendosur lejimin e përgjimit të menjëhershëm të numrave të telefonit që kërkoheshin në informacionin e Policisë Gjyqësore, përfshirë këtu edhe numrin e telefonit celular 0682055399, që përdoret nga shtetasi me emrin Taulant. Ky vendim i është njoftuar menjëherë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, me vendimin e saj nr. 88, datë 05/02/2016, ndër të tjera ka vendosur: Vlerësimin e ligjshëm të vendimit datë 04/02/2016 të prokurorit për lejimin e përgjimit, përfshirë edhe numrin e telefonit 0682055399 që përdoret nga shtetasi me emrin Taulant.
Në datë 06/02/2016 me nr. protokolli 1947, në prokurori është administruar shkresa nr. protokolli 711, datë 06/02/2016, e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, me të cilën ka dërguar informacionin e oficerit të Policisë Gjyqësore Edvin Ndreu. Me këtë informacion, organi i procedurës njoftohet se:
Në identifikimin e saktë të numrit të telefonit 0682055399, që përdoret nga shtetasi me emrin Taulant, është bërë një lapsus. Në informacion, oficeri i Policisë Gjyqësore Edvin Ndreu kërkon ndërprerjen e menjëhershme të përgjimit për numrin 0682055399, që përdoret nga shtetasi me emrin Taulant.
Në këto rrethana, organi i procedurës, duke vlerësuar se për numrin e telefonit 0682055399, që përdoret nga shtetasi me emrin Taulant, nuk ekzistojnë kushtet e përgjimit. Më 06/02/2016 ora 12.10 ka urdhëruar ndalimin e menjëhershëm të përgjimit të tij dhe me shkresën nr. prot. 1329 datë 08/02/2016 ka njoftuar Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan, e cila e ka vlerësuar të ligjshëm vendimin e prokurorit për lejimin e përgjimit.
Në këtë fazë të hetimit paraprak, duke vlerësuar se dokumentacioni i përgjimit të numrit të telefonit 0682055399, që i përket shtetasit me emrin Taulant, nuk mund të përdoret, sepse në këtë rast, organi i procedurës nuk ka respektuar dispozitat e kreut III, seksioni IV të Kodit të Procedurës Penale. Me të drejtë organi i prokurorisë ka kërkuar nëpërmjet kërkesës objekt gjykimi, nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, e cila ka dhënë vendimin për lejimin e përgjimit, që ky i fundit të asgjësohet, pikërisht për shkak se ashti sikundër thekson prokurori, me këtë numër ka ndodhur një lapsus!!!!!!!!!!
Nisur nga kërkimi i sipërm i prokurorit, gjykata çmon se ka vend që ajo të pranohet nisur nga kjo mbështetje ligjore.
Neni 224
1-Procesverbalet dhe regjistrimet ruhen pranë prokurorisë që ka urdhëruar përgjimin, derisa vendimi të marrë formë të prerë, me përjashtim të atyre që ndalohet përdorimi. Por kur ky dokumentacion nuk është i nevojshëm, të interesuarit mund të kërkojnë asgjësimin e tij. Mbi këtë kërkesë vendos gjykata që ka bërë vlerësimin e përgjimit. Asgjësimi bëhet nën kontrollin e gjyqtarit dhe për veprimin mbahet procesverbal.
2- Kur prokurori vendos pushimin e çështjes, duhet të njoftojë për këtë vendim me shkrim gjykatën. Gjykata vendos për asgjësimin e procesverbaleve dhe regjistrimeve në afatin e përcaktuar prej saj dhe vë në dijeni personin e përgjuar. Me kërkesë të prokurorit, ky njoftim mund të mos bëhet në rastin kur ka rrezik për jetën ose shëndetin e të tjerëve, ose kur vihet në rrezik një hetim i nisur.
Neni 226
1-Rezultatet e përgjimit nuk mund të përdoren kur janë bërë jashtë rasteve të lejuara nga ligji ose kur nuk janë respektuar dispozitat e këtij seksioni.
2- Nuk mund të përdoren përgjimet e bisedave ose të komunikimeve të atyre që janë të detyruar të ruajnë sekretin për shkak të profesionit apo detyrës, me përjashtim të rasteve kur këta persona kanë deponuar mbi të njëjtat fakte ose i kanë përhapur në ndonjë mënyrë tjetër.
3- Gjykata urdhëron asgjësimin e dokumentacionit të përgjimeve që ndalohet të përdoren me përjashtim të rasteve kur përbëjnë provë materiale.
Nisur nga përmbajtja e sipërmeve e dispozitave ligjore rezulton se në rastin konkret jemi përpara faktit juridik kur me urdhër të prokurorit, përgjimi i nr. të telefonit celular 0682055399, që mbahet nga personi me emrin Taulant, është ndaluar si dhe në rrethanat ku po prej vetë prokurorit është kërkuar asgjësimi i përgjimeve të kryera ndaj këtij nr. për periudhën datë 04/02/2016 ora 13:20 deri me datë 06/02/2016 deri me datë 06/02/2016 ora 12:10, gjykata çmon se ky kërkim është i bazuar në ligj dhe duhet pranuar. Materialet e përgjimit për këtë periudhë kohore, të cilat iu bënë prezent gjykatës nëpërmjet shkresës me nr. prot 1731, datë 17/02/2016 të inkorporuara në një CD, duhet të asgjësohen në prani të gjyqtarit, sapo ky vendim të marrë formë të prerë. Po kështu gjykata çmon se për arsye të sekretit të hetimit, personi i përgjuar me emrin Taulant nuk duhet të njoftohet lidhur me këtë veprim procedural-hetimor
Për këto arsye
Gjykata duke parë edhe nenet 224-226 të Kodit të Procedurës penale
VENDOSI
• Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan
• Fshirjen dhe asgjësimin e materialit të përgjimit të regjistruar në CD e ardhur në këtë gjykatë me shkresën nr. 140 datë 16/02/2016, e cila përmban regjistrimin e numrit të telefonit celular 0682055399 nga data 04/02/2016 ora 13:20 minuta deri në datën 06/02/2016 në orën 12:10 minuta
• Të asgjësohet materiali i ardhur me CD me shkresën nr. 140, datë 16/02/2016 edhe në serverat që ndodhen pranë sektorit të përgjimeve në Prokurorinë e Përgjithshme, Tiranë
• Gjykata e rrethit Elbasan me vendimin nr 88 datë 05/02/2016 ka vlerësuar vendimin e prokurorit të datës 04/02/2016 mbi lejimin e përgjimit të numrit të mësipërm për një periudhë kohorë prej 15 ditësh, përgjim i cili është ndërprerë me urdhër të prokurorit dt 06/02/2016 ora 12:10
• Asgjësimi të kryhet në prani të gjyqtarit të çështjes ditën e nesërme të marrjes së formë të prerë të këtij vendimi
• Për këtë vendim të mos njoftohet personi i përgjuar për arsye hetimi
• Shpenzimet gjyqësore siç janë bërë
• Kundër vendimit mund të bëhet ankim brenda 10 ditëve nga e nesërmja e shpalljes së tij në Gjykatën e Apelit, Durrës.