Deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili ka deklaruar gjatë fjalës së tij në Kuvend i kërkoi mazhorancës të tregojë pse nuk e dëgjon Europën dhe shqetësimet e saj për Portin e Durrësit.
Dy ditë më parë, Brukseli njoftoi se ka anuluar fondin mprej 28 mln euro për Portin e Durrësit, pasi qeveria devijoi projektin.
Nga foltorja e Parlamentit, Vasili tha se "kushdo që dëgjon sot për projektin e Portit të Durrësit gjëja e parë që i shkon ndërmend është pse duhet ky ngut i madh në një kohë kur në lojë janë sasi të mëdha parash".
Ai deklaroi se qeveria nuk ka pse kërkon votën e parlamentit shqiptar për sa kohë nuk bën publike detajet e projektit dhe kontratës me investitorin arab.
“Kemi bërë të pamundurën në emër të interesit publik që të hedhim dritë në një aferë të padëgjuar sa i takon shifrave dhe kurajës së çmendur për detyrimet ku kanë hyrë dhe nuk dalin dot. Kushdo që na dëgjon gjënë e parë që do pyeste se cili është ky ngut i madh për këtë sasi të madhe parash që janë në lojë dhe këto interesa kaq të mëdha.
Përgjigja e vetme shteruese do të ishte transparencë deri në fund të çdo elementi. Një nga investitorët ka marrë përgjigje nga ministrja. Pse kërkojnë votën e parlamentit shqiptar ku qenkan të fshehta edhe për parlamentin. Nuk mund të ekzistonte për një investim miliarda e miliarda në dorë të kujt shkon kjo pronë e shqiptarëve.
Këtu shpesh herë u fol shumë për Europën dhe përgjegjshmërinë që duhet të ketë opozita në lidhje me Europën. Këta që vdiqën për Europën pse nuk e dëgjoni kur ajo ka rezerva të mëdha për Portin e Durrësit? Është guri i themelit mbi të cilin ecën procesi i integrimit në BE. Pse nuk e dëgjoni Europën për ligjin e medias? Te ky projekt pse nuk e dëgjoni? Kur thotë jo me pasaportat e arta se rrezikoni liberalizimin e vizave të shqiptarëve pse nuk e dëgjoni? E njëjta Europë është”, deklaroi Vasili.