Disa familje në Laprakë janë ngritur në protestë sot kundër shembjes së banesave të tyre, mbi të cilat bashkia e Tiranës ka plane të tjera zhvillimi urbanistik.
Gazetari Bledi Marku, shtëpia e të cilit po ashtu rrezikohet të shembet, dha një deklaratë para medieve ku kontestoi me forcë kontratën diskriminuese që iu ka vënë përpara bashkia për ta firmosur si kompension me banesë sociale ose para, e cila mbart pasiguri të mëdha për jetën e tyre:
Marku shpjegoi tre nene të kontratës, që familjet e prekura nuk do të mund t'i pranojnë kurrë: “Bashkia e Tiranës bashkë me qeverinë, me Ballukun dhe me ish-Ahmetajn, thotë që çdo person do të ketë në dispozicion vetëm 10 metra katrorë, sa një qen në Kinë. Aq u japin edhe njerëzve në Shqipëri. Në qoftë se një familje ka dhjetë persona, do të marrë 100 metra katrorë.
Një shkelje tjetër në këtë kontratë:“Pala e parë merr përsipër që brenda 30 ditëve nga nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje të kryejë të gjitha procedurat e nevojshme pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për marrjen e pronësisë etj. etj me radhë.” Pra, nëse kjo marrëveshje nënshkruhet, brenda 30 ditëve të hiqni plaçkat nga shtëpia dhe të bëhet gati për t’u shembur.
Kjo është një tjetër paçavure, sepse kur kemi pasur komunikime qoftë me ARRSH, qoftë me punonjës bashkie është thënë qartësisht se nuk do të nisë as projekti, as puna pa marrë çdo person atë që i takon, qofshin këto banesa sociale që i trumbeton mjaft mirë Erion Veliaj, qoftë edhe paratë në dorë, siç kanë marrë më herët, si te ASTIR.”
Por Marku zbuloi dhe një tjetër problem të marrëveshjes që u ka paraqitur bashkia, pikërisht atë që banesa që u jepet nuk është e tyrja.
“Për sa kohë që kjo marrëveshje do të jetë në fuqi, pasuria, objekti i kësaj marrëveshjeje, nuk mund t’i premtohet, t’i jepet në përdorim apo t’i shitet një pale të tretë”.
Pra bashkia të jep një trajtim social prej 10 metrash katrorë për çdo person që ke në familje. Dhe thotë: Kjo nuk është e jotja, ti nuk mund ta shesësh, nuk mund ta trashëgosh, as ta lesh kolateral në bankë apo blesh një shtëpi tjetër. Pra, është pronë e bashkisë dhe nesër, kryetari i bashkisë nga cilido krah politik që të jetë, vjen dhe thotë: “Kemi ndryshim të politikane bashkiake, do të favorizojmë çiftet e reja!!! Dhe ti, Bled, ke katër vjet që jeton këtu dhe dil jashtë, se Shkumbimi sapo është martuar dhe pret fëmijë dhe duhet ta ndihmojmë atë”!!! Edhe kjo është një pikë që bie poshtë menjëherë!”