Ka nisur mbledhja e protestuesve të opozitës përpara selisë së Partisë Demokratike. Në këtë seli ka mbërritur edhe kryetari demokrat, Sali Berisha.
“Tirana po zien, e tëra në shesh. Rroftë Tirana, rroftë Shqipëria,” tha ai, përpara se të futet brenda në seli.
Mijëra qytetarë janë duke u bashkuar në Tiranë. Shumë prej tyre po vijnë edhe nga rrethet.
Drejtues të degëve të PD-së në Krujë kanë raportuar se rreth 700 demokratë kanë mbërritur në Tiranë që mbrëmjen e shkuar, duke u strehuar të familjarët dhe miqtë e tyre.
Rreth 1 mijë anëtarë të PD janë nisur nga Fieri, rreth 600 janë nisur nga Vlora.
Gjithashtu edhe rreth 250 simpatizantë të PD-së janë nisur nga dega në Korçë. Për më tepër, 100 të tjerë janë nisur nga Devolli, 30 nga Pogradeci dhe 50 nga Maliqi.
Sakaq protesta pritet të fillojë në orën 12:00, në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’.