“Përballë grushtit nga errësira, pashë dritën e opozitës së bashkuar, u ndjeva me shpresë sot për Shqipërinë tonë!” - Ky ishte reagimi i parë dhe i fortë, në mbështetje të liderit të PD-së dhe të opozitës shqiptare, që erdhi nga Kosova, nga politikania Edita Tahiri, pak minuta pas sulmit tronditës që iu bë Kryetarit të PD-së, Sali Berisha, gjatë protestës në Tiranë.
Znj. Tahiri, ish-kryenegociatore e Kosovës në Dialogun me Serbinë, ishte duke e ndjekur në vazhdimësi Samitin e BE-së në Tiranë dhe protestën e opozitës, kur ndodhi incidenti, pasi më herët kishte reaguar në Fb ndaj deklaratës që dha nga Tirana, Presidenti serb Aleksandër Vuçiç:
“Vuçiç, - kishte nënvizuar Tahiri, - përmendi integritetin territorial të Serbisë kur përmendi pavarësinë e Kosovës sot në Tiranë, mirëpo e anashkaloi faktin se Gjykata Ndërkombëtare për Drejtësi (GJND) ka njohur ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës si dhe që Kosova është pavarësuar me zhbërjen e ish-Jugosllavisë, ku Kosova ishte njëra prej tetë njësive federale, e barabartë me shtatë të tjerat, sipas Kushtetutës së asaj Jugosllavie në 1974.”
Dhe më pas, nuk vonoi një tjetër reagim prej saj, kësaj radhe për Shqipërinë.