"Beteja këtë herë do të jetë pa kthim deri në largimin e Edi Ramës".
Kështu u shpreh kryedemokrati Sali Berisha gjatë një konference urgjente për mediat nga selia blu, duke paralajmëruar nisjen e protestave anti-qeveritare, ndërsa ftoi qytetarët që t'i bashkohen kësaj kauze.
Nga foltorja e selisë blu, ai i përsëriti thirrjen Edi Ramës që të japë dorëheqjen menjëherë.
"Demokratet dhe demokratë, janë momentet më solemne, më kritike, më të rëndësishme të jetës tuaj politike. E ardhmja e PD-së, e demokracisë shqiptare do të përcaktohet nga suksesi i betejës kundër kësaj kalbësire të pashembullt, që angazhoi në shkelmim më të paimagjinueshëm, flagrant, parimi dhe interesi të Shqipërisë dhe shqiptarëve, agjenturën, mafian ruse për shkatërrimin e pluralizmit dhe demokracisë në Shqipëri. Ne pra hymë tani në finale. Çdo luftë ka betejën finale dhe kjo që do të nisim është beteja finale në të cilën ju siguroj se ne do të fitojmë. Edhe njëherë i kërkoj Edi Ramës në mënyrë të prerë; largohu menjëherë nga pushteti. Jep dorëheqjen se alternativë tjetër nuk ka për ty. Edhe tanket Putin të vijnë në Tiranë, nuk të mbajnë në pushtet, largohu menjëherë. Edhe njëherë, demokratë dhe demokrate, ora është e jona, e një beteje që në do ta bëjmë me vendosmëri, guxim dhe përkushtim si asnjëherë tjetër më parë", tha Berisha.