Kryetari i PD, Sali Berisha akuzoi gjithashtu Edi Ramën se ka angazhuar agjenturën ruse kundër PD-së.
Berisha tha se është i bindur që demokratët do t'i japin përgjigjen e merituar Edi Ramës, i cili ka paguar mijëra dollarë një prej zyrtarëve më të lartë të FBI, për të goditur Partinë Demokratike.
Pjesë nga deklarata e Berishës për mediat
Pyetje: Cila është beteja finale?
Sali Berisha: Betejë finale është ajo e cila ndalet vetëm pas largimit të kalbësirës nga pushteti. Nuk ekziston asgjë tjetër, veç largimi i tij.
Pyetje: Si do ta largoni?
Sali Berisha: Me të gjitha mjetet e mos bindjes civile kjo kalbësirë do të shporret nga pushteti. Ky ka kryer aktet më makabre, më të rënda. Këto janë mesazhet e mia dhe unë jam i bindur se këto burojnë nga zemra dhe mendja e çdo demokrati dhe demokrateje. Demokratët dhe shqiptarët panë qartë se si një demon pushteti, ka angazhuar nën petkun e FBI-së dhe fuqisë së saj, por në fakt agjenturën ruse për shkatërrimin e forcës kryesore politike opozitare. Kam bindjen më të madhe se demokratët do t'i japin atij përgjigjen e merituar.