Pas gazetës njujorkeze, sot ishte radha e gazetës ‘Post’ për të theksuar se kryeministri Edi Rama është i zhytur deri në grykë në këtë aferë.
Por ndërsa të dy gazetat shkruajnë njësoj se Charles McGonigal ka marrë para për të çuar përpara axhendën politike të Edi Ramës, të dyja theksojnë se skandali ka tronditur politikën kombëtare amerikane.
“Marrëveshjet e supozuara të paligjshme të Charles McGonigal në Shqipëri- dhe për një oligark rus famëkeqe, të sanksionuar nga SHBA- e kanë vënë FBI-në në shënjestër politike,” shkruan gazeta.
“Në janar, McGonigal u padit me akuza federale për pastrim parash, shkelje të sanksioneve të SHBA dhe dhënie të deklaratave të rreme. McGonigal është deklaruar i pafajshëm për akuzat në Nju Jork dhe Uashington dhe është i lirë me garanci.
Ai është një nga zyrtarët më të lartë të FBI-së, i akuzuar ndonjëherë për vepra penale dhe rasti i tij ka shqetësuar thellësisht profesionistët e sigurisë kombëtare, duke pasur parasysh aksesin e jashtëzakonshëm që ai kishte në sekretet e ndjeshme të qeverisë.
Zyrtarët aktualë dhe ish-qeveritarët, që kanë punuar dhe kanë njohje me McGonigal për vite, thanë se ishin të tmerruar nga akuzat dhe implikimet e dikujt në pozicionin e tij, që mund të punonte në fshehtësi për palët e huaja.
Ai kishte akses në një sasi të jashtëzakonshme informacionesh të ndjeshme, duke përfshirë hetimet për spiunët e huaj ose shtetasit amerikanë të dyshuar se punojnë në emër të qeverive të huaja. McGonigal gjithashtu kishte njohur për të huajt që rekrutonte FBI dhe CIA për të spiunuar për Shtetet e Bashkuara.
Aktakuza e McGonigal vjen në një kohë kur FBI është vulnerabël. Kritikët theksojnë se akuzat për abuzim nga një zyrtar i lartë janë dëshmi e problemeve serioze në byro. Kjo do ta vendosë FBI-në politikisht në mbrojtje, një vit përpara zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme, dhe kur byroja të jetë nën sulmin e disa ligjvënësve, të cilët pretendojnë se ajo ka abuzuar me pushtetin e saj për qëllime politike”, shkruan gazeta.