Nga konferenca për shtyp e kryetarit të PL, Ilir Meta, sot.
Pyetje: Z. Meta, ju keni folur shpesh për çështjen McGonigal, madje keni akuzuar kryeministrin Rama se ka arritur të korruptojë ish-agjentin e lartë të FBI, Charles McGonigal përmes “personit A” të njohur në aktpadi ose të njohur ndryshe si Agron Neza. Ndërkohë, së fundmi në media është publikuar një foto e juaja duke darkuar së bashku me z. Neza dhe me ish-agjentin Mark Rosini. Cila është njohja apo marrëdhënia juaj me z. Neza dhe z. Rosini?
Ilir Meta: Mund t’ju them me shumë kënaqësi dhe transparencë se: E para, nuk jam unë që kam akuzuar z. Rama për çështjen McGonigal. Kemi të bëjmë me akuza nga drejtësia amerikane ku ai përmendet 14 herë me emër. Përmendet ai, përmenden edhe bashkëpunëtorë të tij.
Së dyti, janë mediat më të mëdha në SHBA edhe në botë, që me shumë përgjegjësi kanë raportuar deri tani ku bëhet shumë e qartë që kjo ka qenë një aferë korruptive dhe ku bëhet shumë e qartë se kjo aferë korruptive është udhëhequr nga ana e Edi Ramës me qëllim përdorimin e paligjshëm, ndikimin e paligjshëm të këtij zyrtari të lartë të FBI për të goditur opozitën në Shqipëri dhe kundërshtarët politikë të Edi Ramës këtu. Kjo është më se e qartë. E keni tek New York Times, e keni tek Washington Post disa herë, e keni te CNN, e keni gjithandej.
Së fundi, Washington Examiner që është një media shumë prestigjioze, ekspozoi atë që dihej dhe përflitej në përmasa të tjera ose atë që unë më parë e quajta si “biznesin” e këtyre “non gratave”, që Edi Rama bashkë me bashkëpunëtorët e tij dhe së bashku me personin në fjalë e kthyen në një ndër bizneset më të mëdha vitet e fundit në Republikën e Shqipërisë duke spekuluar me letra të cilat ishin një mashtrim i organizuar prej tyre.
Sipas të gjitha të dhënave, personi në fjalë, i cili kishte akses në listën e njerëzve nga Rusia që ndiqeshin apo që ishin në sanksione apo në vëzhgim për ta, u jepte këtyre, mesa duket këta i çonin me porosi të Edi Ramës një listë me shqiptarë- dhe ishte emri Sergei e ia vinte emrin Hasan! Dhe me vulën e institucionit, e printonte dhe ia jepte këtyre dhe këta vinin këtu me porosinë e Edi Ramës siç në gjithë Tiranën kjo tashmë dihet, po jo vetëm në Tiranë dhe piketonin sipërmarrës, përfaqësues të botës së medieve për t’u bërë presion në mënyrë që ata të hynin në negociata dhe kuptohet në këmbim të shpërblimeve të hiqnin emrat e tyre nga kjo listë spekulative.
Në qendër të gjithë kësaj loje padyshim ishte Edi Rama sepse ky e ka kthyer në art, atë gjobitjen e pashpirt dhe të shumëfishtë sidomos të atyre që mban më afër kuptohet duke thënë se keni nga unë, e keni nga “matanë” oqeanit.
Fotoja! Çdo njeri në Republikën e Shqipërisë, çdo foto që ka me mua që nga fëmija ime është i lirë ta publikojë po dhe për foton në fjalë, duhet të keni parasysh se është një foto që daton 10 vjet më parë kur unë kam qenë në detyrën e Kryetarit të Kuvendit. Aty ka dhe përfaqësues diplomatikë nga vendi ku janë një pjesë e përfaqësuesve që kanë ardhur në takim. A është Rosini aty apo jo nuk e di, sepse unë kur më ftojnë apo ftoj dikë, nuk pyes se kë marrin me vete. Kush është Rosini unë e di shumë mirë, por e di për shkak të angazhimit të tij publik për llogari të Edi Ramës në ditën e djegies së mandateve nga ana e opozitës kur ky doli në një media të porositur nga Tirana, me porosi të Edi Ramës edhe akuzonte zotin Berisha si njeri të Putinit në një kohë që ishte e qartë se edhe ky edhe ata të tjerët punonin me kompanitë më të afërta të Putinit që ishin përfshirë edhe në vendin tonë.
Për sa i takon zotit Neza, njohja ime me të është e hershme, për arsye se ndoshta keni pasur pedagog z. Agim Neza, të ndjerin Agim Neza, se jeni moshë që besoj e keni pasur pedagog dhe zoti Agim Neza që ka qenë një njeri shumë i nderuar ka qenë një njeri shumë i afërt i imi në vitet 2002 ose 2003 kur unë kam qenë në detyrën e Ministrit të Jashtëm dhe Kryeministrit, ka qenë zëdhënësi im.
Ata janë vëllezër dhe për këtë arsye kemi pasur raporte shumë shoqërore dhe shumë miqësore. Por as nuk i kam kërkuar ndonjëherë ndonjë favor dhe as nuk kam pranuar ndonjëherë ndonjë favor nga zoti Neza dhe askush tjetër.
Natyrisht ajo foto është shumë e mirë për të bërë reklamë të gjithë turistëve kinezë, amerikanë, afrikanë për “Sofrën e Ariut” ku është bërë kjo darkë që është shumë publike dhe është bërë fiks te salla “Laura Bush”.