Afera McGonigal/ Pse propaganda e Rilindjes nuk ta ngref

E mërkurë, 15 February 2023 15:25
Kronologjia datë pas date/ Si u rekrutua McGonigal për të goditur PD-në 

Kështu ndodhi rreth dhjetë ditë më parë, kur gazetarja Jonida Shehu i mori për Euronews Albania një intervistë ish të dashurës së tradhëtuar prej agjentit të FBI-së. Allison Guerreiro pohoi po të njëjtat gjëra që kishte thënë për shtypin dhe drejtësinë amerikane. Ajo konfirmoi ato që ka nxjerrë edhe aktakuza e drejtësisë të këtij vendi për lidhjet, miqësinë, takimet, darkat dhe telefonatat e Ramës me McGonigal. Ajo shtoi më pas, në një postim në rrjetet sociale, se kishte kërkuar dhe ishte paguar për këtë ekskluzivitet që i dha njërës prej mediave shqiptare. Kaq u desh që zv/kryeministrja Belinda Balluku, të dilte përpara kryeministrisë me zellin që vetëm pak gra dinë ta kenë për burrin që i mban në punë: për të thënë se mediat paguajnë për të nxirë imazhin e vendit. Kjo shprehje u rimor me zellin e një tifozi të Big Brother-it dhe u bë lajm kryesor nga Top Channel. Madje kronika u përgatit nga vetë gazetari legjendar Muhamed Veliu.

Kaq u desh që një honorar 500 eurosh, të eklipsonte në mediat e qeverisë, milionat që ishin paguar nga Shqipëria për të korruptuar zyrtarin e FBI-së. “Ish- e dashura e zyrtarit të FBI e pranon se u pagua për intervistën kundër Ramës në Shqipëri”, ishte titulli i porositur që rishkruan në kor një tufë portalesh. Ashtu sikurse Lapsi.al ka hulumtuar në google, teksi i porositur në të gjitha mediat është i njëjtë.

Spekulimi vulgar që dëshirohet të bëhet është se gjithçka është e shpikur dhe se po paguhen para në mënyrë për të lidhur pa fakte Edi Ramën me zyrtarin e burgosur të FBI-së. Po mirë mediat shqiptare u paguakan, po të përditshmet më të mëdha amerikane që shkruajnë të njëjtën gjë, a mos vallë edhe ato i kanë blerë kundërshtarët e Ramës në Shqipëri? 

ANDI BUSHATI: Pesë rrëfime që rrëzoi skandali McGonigal 

E njëjta fabul u përsërit edhe në fundjavën e shkuar, pasi tabloidi gjerman BILD, publikoi një artikull në vazhdën e atyre që ishin botuar në SHBA, ku vinte në pah lidhjen e kryeministrit tonë me ish agjentin e arrestuar të FBI-së. Faktet ishin pothuajse të njëjta, me përjashtim të një detaji të ri. Bildi shkruante se këshilltari informal i Edi Ramës, Dorian Duçka, që akuzohet se ka paguar udhëtimet dhe shpenzimet e McGonigal, e kishte hapur qesen edhe për politikanë dhe gazetarë gjermanë. Për çudinë e shumëkujt, artikulli u zhduk nga faqja një orë pas botimit. Nuk dihet të thuhet nëse kjo u bë për fakte të pasakta, apo se për këtë gjë u lobua fort. 

Por ama kaq u desh që të ekzaltohen mediat e dirigjuara me komandë nga Endri Fuga. Titulli i tyre këtë herë ishte lapidar: “BILD ia “lë ngrefur” Berishës dhe Metës”. Teksti copy paste që e shoqëroi këtë titull, kudo njësoj, ishte si më poshtë: “Pas publikimit të shkrimit, opozita e ‘përdori’ si armë shtesë për çështjen në fjalë, pas disa shkrimeve në mediat amerikane ditët e fundit. Sipas tyre, BILD ka botuar një “bombë” kundër Ramës. Vetëm se kjo “bombë” nuk ekziston, pasi shkrimi është fshirë direkt pas publikimit. Arsyeja mendohet se është fakti që shumica e shkrimit bazohej mbi aludime dhe trillime të paqena”.

Pra faktet e Bild janë të paqena, po ato të gazetave më të mëdha amerikane, shkrimet e të cilave gjenden edhe sot e gjithë ditën online?

New York Times: Si i shiti McGonigal shërbimet e tij në Shqipëri! 

Një episod i tretë, ku ranë në sy sërisht titujt me përmbajtje të fortë seksuale, u prodhua pasi një ish agjent i shërbimeve inteligjente amerikane botoi një shkrim ku e akuzonte McGonigal se ishte paguar edhe nga oligarkët pranë Edi Ramës, duke u rrëmbyer shuma të mëdha në këmbim të heqjes se tyre nga lista e zezë ku i kishte futur SHBA.

Ato që pretendonte shkrimi i John Schindler, i publikuar në Washington Examiner, për hir të vërtetës, nuk gjenden në aktakuzën zyrtare dhe ato nuk janë botuar as në mediat me prestigj përtej Atlantikut. Por edhe ky episod nuk u la pa u përdorur nga propaganda e rilindjes. Tani fjala kyç nuk ishte më se ai “i’a lë ngref” Metës dhe Berishës”, por penisi i autorit amerikan. Titulli që u shpërnda gjërësisht ishte: “Dërgonte foto të penisit: Autori i shkrimit që thotë se McGonigal gjobiti biznesmenët e Tiranës, u shkarkua me turp nga NSA”. 


Pra po të shohësh në distancë se si po luan propaganda e rilindjes, ajo ngjan mjerane. Diku mundohet të kapë ndonjë honorar, diku përgjon fotot rozë të ndonjë autori, diku tjetër ndonjë shkrim që nuk është më i lexueshëm në rrjet. Dhe me të gjitha këto sëbashku, do të përkundë fabulën që nuk ngjit dot, se historia e lidhjes Rama- McGonigal është një histori e sajuar nga hiçi. 

Por ka një fakt të thjeshtë për të gjithë ata që duan të ndërtojnë këtë fabul: pse Edi Rama përmendet plot 14 herë në aktakuzën e zyrtarit të arrestuar të FBI-së? Pse në artikujt e tyre, që Lapsi.al i ka raportuar të gjitha, CNN, New York Times, Washington Post, e marrin si të mirëqenë marrëdhëniet sekrete të kryeministrit me McGonigal? Ky është në fakt raliteti që nuk mbytet dot me tituj ku përmendet penisi apo impotenca seksuale e Berishës dhe Metës. 

©Lapsi.al

Login to post comments