Nga Zëri i Amerikës
Ne mesazhin e presidentit Biden qe u bë publik nga zyra e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, thuhet mes tjerash se përgjatë viteve të fundit, Kosova dhe Shtetet e Bashkuara kanë forcuar institucionet demokratike për të ofruar në qeverisje të mirë, sundim të ligjit dhe mundësi për qytetarët në të dy vendet. Së bashku, thuhet në letër, “u ngritëm për vlerat tona të përbashkëta, përfshirë mbështetjen e popullit të Ukrainës që po mbrohet nga agresioni i padrejtë dhe i paprovokuar i Rusisë”.
Në letër thuhet se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin integrimin e Kosovës në institucionet euroatlantike dhe dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë
“Ne mirëpresim pranimin e propozimit të BE-së për normalizim, me synimin përfundimtar, njohje e ndërsjellë, që do të ndihmonte në arritjen e një të ardhmeje më paqësore dhe të begatë për popullin e Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në mesazhin e presidentit Biden.
Kosova shpalli pavarësinë e saj me 17 shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian. Por, Serbia e mbështetur nga Rusia vazhdon ta kundërshtojë atë.
Diplomatët amerikanë dhe ata të Bashkimit Evropian janë vënë në përpjekje për të ndërmjetësuar një zgjidhje sipas një propozimi evropian që nuk parasheh njohje të ndërsjellë, nga frika se Rusia mund të përpiqet të shfrytëzojë tensionet ndërmjet palëve për të nxitur destabilizim në Ballkan.
Udhëheqësit e të dyja vendeve thanë se e pranojë në parim propozimin, sipas të cilit palët nuk duhet të pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, duke e uruar presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç me rastin e ditës se shtetësisë serbe shprehu bindjen se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës për të cilin, tha ai, të dyja palët duhet të bëjnë kompromise, do të sjellë siguri dhe begati për Serbinë dhe të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor.
Ai i bëri thirrje Serbisë “të mbështesë Ukrainën kundër luftës së paprovokuar, të pajustifikuar dhe brutale të Rusisë”.
Serbia e cila synon integrimet evropiane ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve ndaj Moskës, në radhë të parë për shkak të qëndrimit rus kundër pavarësisë së Kosovës.
Sekretari Blinken tha në mesazhin drejtuar presidentit serb se “duhet të jemi të bashkuar në mbështetjen e të drejtës së popullit ukrainas për të zgjedhur të ardhmen e tij”.
Sekretari Blinken u shpreh i kënaqur që, siç tha, “dy vendet tona nënshkruan së fundmi një Memorandum Mirëkuptimi për të krijuar pozicione ndërlidhëse për diplomatët serbë brenda Departamentit amerikan të Shtetit. Ky program unik jo vetëm që do të nxisë një kuptim më të mirë të synimeve tona të politikës së jashtme, por do të krijojë kanale të reja komunikimi dhe do të ndërtojë partneritet të qëndrueshëm”, thuhet në mesazhin e sekretarit Blinken dërguar presidentit serb.