“Nuk mund të rri pa dhënë një mesazh për një akt që ka ndodhur dje, që është akti final i deligjitimit tërësor të pushtetit monist të Edi Ramës, i cili ka detyruar dje tre gjykatës që të shuajnë çdo shpresë për sa i takon kredibilitetit të kësaj drejtësie të dalë nga Rama-Forma. Rama-Forma është shndërrimi i reformës në drejtësi që pritej të sillte më shumë drejtësi për vendin, nga ajo drejtësi sipas Kushtetutës që u bë dhe me 140 vota, në Rama-Forma nëpërmjet kapjes antikushtetuese të drejtësisë.Nuk kam pasur iluzion unë dje që një vendim i tillë do të vinte sepse vetëm një naiv dhe pa eksperiencë politike mund të mendonte se zvarritja prej një viti e çështjes së vulës së PD, ishte një rastësi. jo, ishte një regji e mirëmenduar e Edi Ramës.
Vetëm një naiv mund të mendonte se mund të kishte një vendim normal dje, kur kemi parasysh se si u zgjodh Prokurori i Përgjithshëm me 69 vota, në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Shqipërisë që e thotë qartë që të paktën 84 vota dhe përmes Prokurorit u ka pi gjithë sistemi i hetimit, që Edi Rama të vjedhë edhe të jetë i pandëshkueshëm deri tani.
Vetëm një naiv mund të mendonte se do të kishim gjykata me kredibilitet kur përmes falsikimeve të Dvoranit të komanduar nga Edi Rama keni parë betimet e gjoja anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese tek noteri privat te Lana, që shokuan edhe Komisionin e Venecias dhe gjithë botën.”