Deputetët e opozitës kanë kërkuar që sot në seancën parlamentare të përfshihet mocioni me debat për raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për Shqipërinë. Grupi i deputetëve ia ka paraqitur kërkesën kryetares së Kuvendit, Lindita Nikollës, për ndryshim të rendit të ditës të séances së sotme plenare (23.03.2023, ora 10.00), duke përfshirë si pikë të pare, një mocion me debat për raportin e DASH.
Në vijim, kërkesa me argumentet e plota të paraqitura nga grupi i deputetëve të opozitës.
Drejtuar: Znj. Lindita Nikolla, kryetare e Kuvendit.
Zonja Kryetare,
Ditët e fundit është publikuar Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për Shqipërinë. Gjetjet e këtij raporti janë tejet serioze dhe nxjerrin në pah situatën alarmante ku ndodhet shteti shqiptar pas gati 10-vite keqqeverisje.
Disa nga gjetjet e këtij raporti janë, mangësitë me pavarësinë dhe integritetin e gjyqësorit, mungesa e mediave të pavarura dhe korrupsioni i vazhdueshëm në qeverisje, në organet e zbatimit të ligjit dhe në institucionet lokale, ishin problemet kryesore në Shqipëri gjatë vitit të kaluar, sipas raportit të Departamentit amerikan të Shtetit.
Ndonëse Kushtetuta parashikon një gjyqësor të pavarur, “presioni politik, frikësimi, korrupsioni dhe burimet e kufizuara e penguan gjyqësorin të funksiononte plotësisht, në mënyrë të pavarur dhe efikase”, thuhet në këtë raport.
Korrupsioni, thekson raporti, ishte i pranishëm në të gjitha degët dhe nivelet e qeverisjes, përfshirë edhe prokurimin publik dhe partneritetet publiko-private. Një nga problemet kryesore të përmendura në raport është gjendja e medias dhe trysnia ndaj saj. Sipas raportit, vëzhguesit pohojnë se “qeveria, partitë politike, bizneset dhe grupet kriminale u përpoqën të ndikonin në media në mënyra të papërshtatshme dhe jotransparente”.
Ka media të lira dhe një përhapje të madhe të organeve të medias, veçanërisht në internet, që përfaqësojnë një spektër të gjerë pikëpamjesh pa përgjegjësi, shpesh pa e atribuar informacionin. “Megjithatë, janë të pakta mediat e pavarura, pasi shumica e mediave janë në pronësi të biznesmenëve me peshë që kanë interesa të mëdha, të cilët përdorin mediat e tyre për të avancuar interesat e tyre, përfshirë përfitimin dhe nxitjen e interesave që kanë me partitë politike”, thuhet në raport.
Në raport thuhet se disa pronarë biznesesh, aktivistë të shoqërisë civile dhe politikanë akuzuan qeverinë për zbatim selektiv të ligjit për sekuestrimin e pronave për qëllime politike. Aty përmenden si shembuj mbyllja me forcë e një ambienti biznesi të një deputeti të opozitës, i cili tha se kompania e tij ishte vënë në shënjestër, pasi ai kishte akuzuar vazhdimisht dhe publikisht zyrtarët e qeverisë për korrupsion. Po ashtu përmendet shembja në dhjetor e një hoteli nga Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit, duke përmendur si arsye shkelje të rënda të ligjeve të ndërtimit.
Duke iu referuar këtyre zgjedhjeve, në raport thuhet se sipas Misionit Ndërkombëtar të Vëzhguesve, “partia në pushtet siguroi avantazhe të rëndësishme nga fakti i të qenit pushteti i saj, nga kontrolli mbi administratat vendore dhe nga keqpërdorimi i burimeve administrative”. Raporti përmend gjithashtu përfitimin që shumica siguroi nga mbulimi pozitiv i institucioneve shtetërore në media, si edhe pretendimet e besueshme për blerje të përhapura të votave nga partitë politike dhe nxjerrjen dhe përdorimin e paligjshëm të të dhënave të ndjeshme personale.
Deputetët e opozitës kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur të përdorin instrumentet që Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit përcakton duke i dhënë hapësirë funksionit kontrollues të Parlamentit. Por shpesh herë këto të drejta që Kushtetuta i njeh Opozitë, nuk janë respektuar nga mazhoranca apo Kuvendi.
Në këtë kontekst, bazuar në Nenin 31 pika 2 dhe Nenin 98 të Rregullores së Kuvendit, një grup deputetësh të opozitës kërkojnë:
1. Ndryshimin e rendit të ditës.
2. Në përputhje me pikën 1, përfshirjen si pikë e parë e rendit të ditës të një mocioni me debat për raportin e DASH.
3. Debati të jetë me kohë të pakufizuar, ku çdo deputet të ketë një kohe niminalisht prej 10 minutash për të diskutuar.