Sa vjen e bëhet më i trashë falsifikimi i bërë kundër deputetes së PL, Monika Kryemadhi. Një ditë më parë u raportua se banka që pretendohet se ka brë pagesat në vitin 2017, në fakt ka falimentuar që në vitin 2014. Por gazetari Klodian Tomorri denoncon një moment tjetër edhe më të rëndë
Nga Klodian Tomorri
Ka dhe një perle tjetër kjo fatura e Putinit për Monikën. Me numrin 1, e qarkuar me blu data e nisjes së parave, pra 23 maj 2017.
Me numrin 2, ‘value date’ ose data e mbërritjes së parave, 22 maj 2017. Pra, Putini i ka nisur lekët sot nga ishujt Cayman, por Monikës i erdhën në llogari dje.
Në asnjë faturë bankare, data e nisjes së parave nuk mund të jetë kurrë më vonë se data e mbërritjes së parave. Në rastin më të mirë, mund të jetë e njëjta datë, kur transferta vjen nga vende që kanë ndryshime të mëdha të orës. Por kurrë dhe kurrë data e mbërritjes së parave s’mund të jetë para datës së nisjes.
Këto faturat kanë kërcitje shumë të mëdha. Bankë që nuk ekziston, data që nuk përkojnë etj, etj. Dhe nëse është ashtu siç duket, që këto janë fatura të falsifikuara, këtu po hapet një precedent shumë i rrezikshëm, ku mund të sulmohet kushdo me letra anonime të falsifikuara.
Me shumë gjasa këtu jemi para rastit kur shantazhohet një deputet me materiale të falsifikuara çka përbën një vepër shumë të rëndë penale. Dhe prokuroria nuk mund të heshtë më asnjë sekondë për këtë punë. Duhet të hapen menjëherë hetimet dhe ta sqaroje janë të vërteta apo të falsifikuara. Nuk ka dhe shumë punë në këtë rast se këtu duket sheshit. Por pas dhënies së përgjigjes zyrtare, pastaj kush ka përgjegjësi, duhet të përgjigjet para ligjit.