Kompania e inceneratorit të Tiranës, “Integrated Energy BV SPV”, ka mundur të fitojë afërsisht 20 milionë dollarë në të paktën 5 vite nga marrja me koncension e administrimit të landfillit të Tiranës.
Sipas të dhënave zyrtare të siguruara nga “openspending data”, e cila u referohet transfertave nga Thesari, por dhe deklarimeve të kompanisë, vetëm gjatë pandemisë kompania ka mundur të regjistrojë një fitim para taksimit mbi 15 milionë dollarë.
Ekzaktësisht rreth 8 milionë dollarë për vitin 2021 dhe 7.2 milionë dollarë për vitin 2020. Pra, rreth mbi 15 milionë dollarë në kulmin e pandemisë.
Shqiptarët ishin të izoluar, bota ishte e izoluar, ndërkohë që kompania gjeneronte miliona dollarë fitime. Në vitin 2020 shuma është 7.2 milionë dhe në 2021-shin shkon rreth 8 milionë dollarë me një rritje 10% dhe me një fitim para taksimit rreth 30% të xhiros.
Këto janë dy shifrat e vitit 2020-2021, ndërkohë pritet të publikohen edhe shifrat e vitit 2022, e cila duke parë trendin rritës apo stabilitetin mund të çojë në një total për rreth 30 milionë dollarë fitimi nga dita që kompania ka marrë në përdorim landfillin e Tiranës.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga vetë “Integrated Energy BV SPV”, janë investuar në landfillin e Tiranës rreth 32 milionë euro.
Në fakt, sipas një dokumenti tjetër që CNA ka siguruar, janë rreth 22 milionë euro. Pra, fitimi i realizuar nga kompania vitet e fundit është më i madh se investimi i kryer.
Pra, përkundrejt asaj që flitet për propagandë, landfilli i Tiranës thjesht dhe vetëm ka prodhuar para për kompaninë, e cila ka investuar me paratë që ka siguruar nga të ardhurat që vijnë nëpërmjet fondeve, të cilat i jep qeveria shqiptare, Bashkia e Tiranës, Bashkia e Durrësit, Bashkia e Kavajës, por edhe të ardhura të tjera që vinin nga mbledhja e dherave për të cilat paguhet një tarifë e caktuar, që në fakt më shumë sesa një shërbim është një ndihmesë që i bëhet kompanisë koncensionare për mbulimin e mbetjeve që mblidhen nga qytetarët.
Sipas të dhënave zyrtare, vetëm në vitin e parë dhe të dytë kompania nuk ka mundur të ketë fitime të mëdha megjithëse ka dalë me fitime sërish.
Pra, që ditën e parë që ka marrë çelësat e landfillit dhe ka filluar investimet, kompania rezulton që të ketë siguruar të ardhura plus.
Gjithashtu me fitim rezulton edhe viti i dytë dhe viti 2019 është viti, i cili regjistron rreth 2.2 milionë dollarë fitime.
Kujtojmë këtu se gjatë komisionit hetimor parlamentar, ish-administratorja e kësaj kompanie, e cila ndodhet në arrest shtëpie, Arjola Kodra, ka theksuar se në fund të vitit 2019 i është dhënë leja e ndërtimit për landfillin kompanisë dhe leja e ndërtimit të inceneratorit, në fakt, sipas dokumenteve zyrtare të siguruara nga tatimet, vihet re se kompania e landfillit të Tiranës dhe inceneratorit që nuk ekziston ka aplikuar dhe ka kërkuar TVSH të rimbursueshme.
Pra, ka punuar dhe pa pasur një leje ndërtimi të zbardhur. Në vitin 2020, gjatë kohës së pandemisë që përmendëm më lart, janë 7.2 milionë dollarë fitim dhe rreth 8 milionë dollarë fitim në vitin 2021, përpara taksimit.
Në dy vitet e pandemisë kompania ka regjistruar mbi 15 milionë dollarë fitim.
Pritet dalja e zyrtare e bilancit të vitit 2022, e cila, ashtu siç thamë, me trendin e dy viteve paraardhëse, i çon rreth 30 milionë dollarë fitimet para taksimit të kompanisë së inceneratorit të Tiranës.
Pra shifrat e fitimeve me shifrat e investimeve janë thujase të barabarta dhe siç pretendohet nga kompania, për të mos thënë se janë edhe më të mëdha fitimet. Pra, me lekët e të ardhurave janë kryer investimet e deritanishme për atë që quhet menaxhimi dhe administrimi i landfillit të Tiranës ku do të ndërtohej një incenerator, por që nuk ekziston.
Banorët e qarkut të Tiranës dhe Durrësit vazhdojnë të paguajnë 29 euro/ton për përpunimin, landfillimin dhe incenerimin e mbetjeve. Inceneratori në fakt në këtë landfill nuk ekziston.
Aktualisht SPAK-u po heton të gjithë atë që e quan aferën korruptive të inceneratorëve duke filluar me Elbasanin, ku është shpallur në kërkim ndërkombëtar Stela Gugallja, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri që quhet “truri” i inceneratorëve, dhe Fieri.
Të dyja këto kanë çuar pas hekurave ish-ministrin e Mjedisit dhe sekretarin e Përgjithshëm të atij institucioni, Alqi Bllakon, por të dyja këto investime janë ende jashtë funksioni.
Ato janë, siç pretendeon dhe kryeministri, investime publike që pas shtatë viteve i ktheheshin shtetit, ndërsa në rastin e Tiranës kemi një kontratë koncensionare të pretenduar prej rreth 430 milionë dollarësh me një investim rreth 128 milionë euro, kur në fakt deri tani i gjithë investimi mesa duket qartazi është i mbuluar nga fitimi dhe nga të ardhurat dhe xhiroja e madhe që ka kompania, por këto 430 milionë dollarë duket se shifra e vërtetë është shumë më e madhe, deri dyfish.
Sipas përllogaritjes së bërë me ekspertë dje nga CNA, me trendin në rritje të të ardhurave që ka kompania në dy apo tri vitet e fundit, mund të shkojë mbi 600 milionë dollarë, ndoshta dhe deri në 750 milionë dollarë në 30 vite totali i xhiros së qarkullimit dhe me fitimet e deklaruara nga vetë kompania përtej asaj që është raportuar në biznes-planin çuar qeverisë shqiptare shifrat janë shumë herë më të larta dhe fitimi mund të jetë edhe më kolosal.
Kjo tregon dhe diferencën e madhe të çmimit. Pra, pretendimi se 29 euro/ton është një çmim i ulët, ndërkohë që gjenerohet një fitim kaq i madh prej 30 milionë dollarësh në gati 5-6 vite./ Marrë nga CNA.al