Në datën 18 mars 2023, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, përuroi tregun agro-ushqimor në Farkë. Në krah të ministres së Bujqësisë, Frida Krifca, Veliaj tha se synonte që të hiqte monopolin që ka akutalisht tregu në hyrjen veriore të kryeqytetit. Në fakt, pas këtij veprimi, të gjithë po prisnin që tregu të hapej, të tregtoheshin produkte. Por, asnjë gjurmë, aq sa në atë vend shkoi edhe Belind Këlliçi, kandidat për kryetar bashkie në zgjedhjet e 14 majit. Ai denoncoi se në atë vend s’kishte asnjë gjurmë, duke ngritur disa pyetje se përse u përurua një treg i tillë kur s’ka tregtarë?! Në mungesë të një përgjigjeje nga vetë Veliaj apo edhe Bashkia e Tiranës, BoldNews.al hulumtoi të gjithë procedurën e bërjes së atij tenderi, që ka kushtuar miliona euro dhe ende s’është hapur, kur në fakt duhej të ishte hapur me kohë. Por, le t’i marrim gjerat me radhë.
Në verën e vitit 2021, sipas dokumentit të mësipërm, Bashkia e Tiranës hapi një tender për ndërtimin e një tregu agro-ushqimor në Farkë, që synonte të thyente monopolin e tregut aktual. Projekti konsistonte në ndërtimin e tregut për shitjet me shumicë dhe pakicë të produkteve ushqimore, në zonën e Farkës së Madhe. Objekti i tenderit ishte “ndërtim i tregut për shitjet me shumicë dhe pakicë të produkteve ushqimore (Tirana Agrikulturë)”. Ndërkohë që kishte një fond limit 235.467.582 lekë pa TVSH. Punimet duhet të kryheshin brenda 6 muajve. Por, a u realizuan?!
Në fakt, projekti nuk u realizua në kohë. Ai u zvarrit për muaj me radhë, në pritje të zgjedhjeve lokale të 14 majit 2023. Veliaj shkoi në datën 18 mars 2023 në atë vend, bashkë me ministren e Bujqësisë, Frida Krifca, bashkë me një “tufë” punonjësish të propagandës. Organizoi lidhje direkte, pregatiti kronika për televizionet, bëri plane nga të gjitha anët. Ai e përuroi, ndërsa deklaroi me mburrje se tashmë fermerët do të shisnn produktet e tyre me zero taksa. “Këtu vij me kokën lart! Ky ishte premtimi i fundit i pambajtur dhe më vjen mirë që pranvera na gjen me një projekt, ndoshta më i miri dhe më i arrituri në rajonin tonë. Ky vend ka edhe një vendosje gjeografike fantastike. Jemi m’u në buzë të autostradës, Unazës së Madhe të Tiranës, mes Lundrës dhe Farkës. Kemi një hapësirë të jashtëzakonshme bujqësore, kemi qendra tregtare, kemi hapësira rezidenciale, po bëjmë një park të ri në Liqenin e Farkës dhe ditët më të mira për fshatin sapo kanë filluar”, u shpreh Veliaj. Veliaj sqaroi se tregu i ri do u kursejë tregtarëve 70% të kostove, që më parë paguanin te privati, e po ashtu do u ofrojë qytetarëve produkte bio më të lira. “Në tregun privat ti paguaje pa e ditur se çfarë do të shisje, pa e ditur se sa është bursa në treg, sepse kishte një çmim fiks të asaj që quhet ‘matje e kokës me spango’” tha ai. Por, a u hap kur iku Veliaj me “tufën” e tij?!
Faksimile: Dokumenti i tenderit për fazën e dytë, me vlerë 430 milionë lekë të vjetra
Normalisht që jo, pasi në atë vend s’ka ende tregtarë. Tregun e vizitoi disa ditë më parë edhe Belind Këlliçi, teksa e akuzoi Veliajn për një farsë. Ndërkohë, redaksia e BoldNews.al siguroi disa dokumente të vetë Bashkisë së Tiranës, e cila ka akorduar një tjetër shumë për të mbyllu ato punime. Por, a nuk u përurua? Po, po sërish bashkia po bën një tender të ri. Sipas dokumentit të mësipërm, bashkia ka hapur procedurën me objekt “ndërtimi i tregut për shitjet me shumicë dhe pakicë të produkteve ushqimore (Tirana Agrikulturë) – Faza II”. Autoriteti kontraktues, Bashkia e Tiranës, ka akorduar një shumë prej 43.046.031 lekë. Pra, shpenzon sërish para’ për një treg të përfunduar, që duhet të ishte gati për tregtarët dhe banorët e zonës./ Boldnews.al/