Kryebashkiaku i Elbasanit, Gledjan Llatja i jep 216 mijë dollarë tender për rikonstruksionin e rrugës në lagjen 11 Nëntori në Elbasan, biznesmenit i cili vetëm pak ditë para shpalljes fitues i projektit u arrestua nga policia dhe u la në “arrest shtëpie” për korrupsion në tenderin për të cilin ndodhet në burg kryebashkiaku i Bulqizës Lefter Alla.
Më pak se tre muaj para zgjedhjeve lokale, Bashkia e Elbasanit e drjetuar nga Llatja hapi tenderin për rikonstruksionin e rrugës në lagjen “11 nëntori” në Elbasan.
Fondi limit i caktuar nga Bashkia për asfaltin para zgjedhjeve ishte rreth 221 mijë dollarë.
Thirrjes së Bashkisë për tenderin iu përgjigjën tri kompani, konkretisht kompania “BE – IS” SH.P.K, “BAJRAMI N.” Sh.p.k dhe “ERGI” sh.p.k.
Por komisioni i vlerësimit në Bashkinë e kryebashkiakut Llatja ka përjashtuar dy kompanitë e tjera konkurente dhe la të vetme në garë kompaninë Be-SI SHPK me ofertë 216 mijë dollarë. Për këtë procedurë, bashkia ka marrë flamur të kuq duke sinjalizuar rrezik për abuzim me procedurat.
Problemet me këtë tender nuk përfundojnë këtu.
Administratori i kompanisë që fitoi tenderin me ofertë 216 mijë dollarë rezulton të jetë shtetasi Kastriot Ibrahimaj.
Ky i fundit u arrestua në operacionin që u vu në pranga edhe ish-kryebashkiaku i Bulqizës Lefter Alla.
Ibrahimaj u akuzua nga prokuroria për korrupsion dhe falsifikim.
Në 16 mars ai u la në “arrest shtëpie”, ndërkohë vetëm pak ditë më vonë kryebashkiaku i Elbasanit, Gledjan Llatja i miraton tenderin me flamur të kuq.
Bashkia që drejtohet nga z. Llatja ka dhënë disa tendera që janë sinjalizuar për korrupsion por megjithatë ai duket se ka marrë garanci dhe vijon fushatën për nëj mandat të dytë.