Konfiskimi i Ora News/ Gazeta e Arbitrazhit Ndërkombëtar: Kërkohen 128 mln euro dëmshpërblim

E mërkurë, 19 Prill 2023 13:29

Gazeta e Arbitrazhit Ndërkombëtar ‘Global Arbitration Review’ shkruan se për këtë konfiskim është ngritur një padi prej 128 milionë eurosh ndaj qeverisë shqiptare.

“Një biznesmene bullgare ka ngritur një padi prej 128 milionë eurosh kundër Shqipërisë për sekuestrimin e një stacioni televiziv dhe investimeve të tjera,” shkruan GAR.
 

Në rastin konkret, biznesmenia bullgare është Mimoza Ndroqi, bashkëshortja e Ylli Ndroqit. Ajo ka nënshtetësinë bullgare dhe ka vendosur të padisë qeverinë shqiptare për shkeljen e traktatit dypalësh të investimeve mes Shqipërisë dhe Bullgarisë.

 

Në vitin 2015, qeveria shqiptare firmosi një kontratë koncesioni për ndërtimin e një porti jahtesh në Durrës me kompaninë koncesionare Albania Bay Marina. Pjesa më e madhe e aksioneve të Albania Bay Marina zotërohej nga pronari i i RTV Ora, Ylli Ndroqi me 50%, ndërsa gjysma tjetër ndahej mes kompanisë shqiptare ISDC me 30% dhe asaj bullgare, Quentin Ltd me 20%. Por investimi nuk u realizua asnjëherë.

Zoti Ndroqi pretendon se qeveria shqiptare ka shkelur në mënyrë të njëanshme kontratën, duke mos i vënë në dispozicion terrenin e premtuar në kontratë. Veç dështimit të portit, biznesmeni Ndroqi pretendon se ka pësuar dëme nga qeveria edhe në disa kontrata të tjera që ai ka pasur për ndërtimin e një resorti turistik, lejen minerare për shfrytëzimin e një miniere kromi si dhe disa licenca për ndërtim hidrocentralesh.

Përveç këtyre, pretendimet e tjera të biznesmenit lidhen me sekuestrimin e pasurive nga autoritetet shtetërore, përfshirë televizionin Ora News.

Për të gjitha këto pretendime, familja Ndroqi kërkon nga shteti shqiptar një kompensim prej 128 milionë eurosh, një shifër kjo pak më e madhe se sa kompensimi që fitoi një tjetër ish-pronar mediesh, biznesmeni italian Françesko Beketi.

Login to post comments