Në fjalën e tij, lideri i opozitës akuzoi qeverinë dhe Tërmet Peçin se kanë nëpërkëmbur Tepelenën.
Berisha tha se vota e 14 majit ka një mision historik, rimëkëmbjen e vendit.
"Të dashur qytetare dhe qytetarë, banorë të Tepelenës. Së pari dua të ju përshëndes ju përzemërsisht, të përshëndes banorët e këtij rrethi kudo që ndodhen sonte ne Tepelenë, Shqipëri, emigracion dhe diasporë. Shpreh kënaqësinë më të madhe që vij të paraqes para jush sot, kandidatin tuaj për kryetar bashkie. Është një nder i veçantë që paraqes sot kandidat për kryetar bashkie, një nga bijtë më të shquar të Tepelenës, inxhinierin Baftjar Imeri, i cili përfaqëson këtu jo vetëm qytetarët e këtij rrethi, por përfaqëson në një farë mënyrë mbarë emigracionin shqiptar.
Ardhja e tij, kandidimi i tij përzgjedhja e Baftjarit me primare, është dëshmi e një respekti, dashurie, që ai ka ruajtur në dekada për qytetin e tij, por edhe qytetarët e Tepelenës për Baftjarin. Ju garantoj se projekti i tij do të jetë projekti i ndryshimit të madh të Tepelenës, do të jetë projekti i rikthimit të bashkisë qytetarëve të Tepelenës, i vendosjes së qytetarit në epiqendër të të gjithë përpjekeve të tij, shërbimeve ndaj qytetarëve, menaxhimit me transparencë të të gjitha burimeve financiare të këtij bashkie. Transformimi i Tepelenës në një qendër të fuqishme zhvillimi, turistik, bujqësor, blegtoral dhe të gjithëanshëm.
Tepelena është rreth me potencial të madh, të gjithëanshëm, turistik, bujqësor, blegtoral, industrial. Por Tepelena është e plaçkitur, siç është e plaçkitur Shqipëria. Pasuritë e saj nuk shndërrohen në një mirësi për qytetarët e saj. Tepelena është e nëpërkëmbur si nga Tërmeti i qeverisë, ashtu edhe nga Rama i qeverisë.
Sot ne jemi kombi, për fatin më të keq, që largohemi më shumë se gjithë të tjerët nga vendi ynë. Largohemi sepse shpresa u është sosur shqiptarëve. Besimi tek Tepelena dhe Shqipëria është pothuajse, zhdukur. Në këtë kontekst, miqtë e mi në 14 maj jemi në një mision historik, ne jemi në një mision kombëtar, ne jemi në një mision atdhetar. Çdo qytetare e qytetar i këtij vendi, që beson se vendi duhet dashur, që beson se vendi duhet respektuar, që beson se ky vend me këto pasuri përrallore mund të begatojë ne brez pas brezi, nëse qeverisemi siç duhet, si njerëz të lirë".