Ky investigim ka zënë vend edhe në kopertinën e revistës ku godet titulli: “Mafia Soros, miqësi, korrupsion dhe propagandë
Një fakt interesant është se në këtë shumësi artikujsh, një vend i veçantë i takon edhe Shqipërisë. Ndonëse Lapsi.al ka vendosur ta pasqyrojë, duhet thënë që në fillim se “Valeurs Actuelles” është një media radikale me tendencë sovranisto-konservatore, shumë pranë partive të ekstremit të djathtë francez. Por gjithësesi kurioze është të shihet hapësira që i kushtohet brenda investigimit të saj, rolit të Soros në Shqipëri dhe afërsisë së tij me regjimin e Ramës.
Rasti i Darian Pavlit
Teza kryesore që tenton të përcillet është ajo se “Open Society” e Soros, përmes lobingut, ka sponsorizuar ish-punonjës të vet për t'u shndërruar në gjykatës të të drejtave të njeriut në Strasburg. Madje sipas një raporti të hollësishëm të përpiluar nga Gregor Puppinck, drejtor i Qendrës Evropiane për Drejtësi dhe Ligj, këta gjyqtarë kanë gjykuar edhe çështje në konflikt interesi, pasi ato mbroheshin nga OJF-të ku ata kishin punuar më parë si rrogëtarë të fondacionit Soros.
Për të ilustruar këtë shembull, një artikull i kushtohet edhe gjykatësit të Shqipërisë pranë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Darian Pavli. Ai pretendon se ka qenë më parë avokat, por “CV” e tij shkakton debat, thotë revista, duke shtuar se nuk ka asnjë provë që Pavli, i emëruar në Strasburg në vitin 2018 si propozim i qeverisë shqiptare, të ketë punuar ndonjëherë si avokat ashtu sikurse pretendon. E vetmja punë që i provohet është ajo pranë findacionit Soros në Nju Jork.
Rasti i Darian Pavlit, për të cilin dhoma shqiptare e avokatisë refuzoi të përgjigjej nëse ai ka qenë pjesë e saj, zë vend edhe në kapitullin: “Shokë dhe kushërinj”, ku përshkruhen lidhjet e atyre që emërohen si gjyqtarë në Strasburg.
“Avokat Pavli është kushëri i kryeministrit Rama, gjë që na bën të ngremë pyetjen se sa i drejtë mund të jetë ai si gjykatës në çështjet që duhet të shqyrtojë kundër qeverisë shqiptare”, shkruan e përjavshmja. Kështu për shembull- vazhdon ajo- Darian Pavli ka gjykuar në Strasburg çështje të cilat lidhen me reformën në drejtësi, një nga autorët e të cilës ai ka qenë vetë, dhe e cila, sipas opozitës, ka forcuar pushtetin e kushëririt të tij.
“Shqipëria, mon amour”
Në kapitullin tjetër “Shqipëria, mon amour”, vendi ynë përshkruhet si një rast për t'u mësuar në shkollë si ilustrim i ndikimit të Fondacionit Soros.
“Ky është një nga vendet ku Open Society ka financuar më shumë (në raport me popullsinë). Arsyeja është e thjeshtë. Eshtë një vend i varfër, i pastabilizuar dhe i korruptuar, pra shumë i dobët përballë influencave. Qartësisht mund të kesh shumë influencë dhe të marrësh përfitimet e investimit shumë më shpejt sesa në Francë apo në Gjermani. Në Shqipëri, Soros ka mbështetur ish-opozitën liberale (të përbërë nga shumë trashëgimtarë të regjimit komunist), kundër presidentit të shkuar konservator. Fondacioni është sot shumë pranë kryeministrit Rama dhe ka mbështetur reformën në drejtësi që mund të dukej e nevojshme, pra lehtësisht e shitshme tek përendimorët, por që pati një efekt të dyfishtë: i lejoi pushtetit të spastronte sistemin, të hiqte qafe opozitarët dhe të përforconte kontrollin mbi drejtësinë”.
Përgjatë artikujve nuk lihet asnjë dyshim se fondacioni i Sorosit, që ka financuar reformën në drejtësi, e ka dorëzuar atë në duart e pushtetit. E këtu përpos rastit të Darian Pavlit, një ish-punonjës i fondacionit, hartues i reformës shqiptare dhe tani i katapultuar në Strasburg, jepet edhe ai i zëvendësit të tij, Sokol Berberi, që ishte njëri nga tre emrat që qeveria shqipëtare i propozoi Gjykatës Evropiane e të Drejtave të Njeriut. “Ai është emëruar edhe pranë Komisionit prestigjoz të Venecias që mbikëqyr kushtetutat e shteteve evropiane. Edhe Berberi ka afërsi me qeverinë, ose me botën e errët lokale. Ai është kunat i ish-ministrit Fatmir Xhafaj, që nga ana e tij është vallai i një trafikanti ndërkombëtar droge, Agron Xhafaj”.
Sa duhet t'i besojmë?
Natyrisht, të dhënat dhe faktet e paraqitura, ndonëse janë të besueshme për pjesën më të madhe të shqiptarëve, duhen relativizuar kur vjen puna se ato janë raportuar në një media si “Valeurs Actuelles”, e cila e sheh Sorosin nën dritën e të gjitha teorive konspirative kundër tij. P.sh., Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, ne të Lapsi.al, që po e botojmë këtë shkrim, na dha të drejtë ndaj sekuestrimit të pushtetit të Edi Ramës, në çështjen e vjedhjes të të dhënave të qytetarëve shqiptarë për t'u përdorur prej patronazhistëve të Rilindjes.
Prizmi i “Valeurs Actuelles” në denoncimin e Sorosit, nuk lidhet me ndikimin mbi çështje të përditshme, por me shtyrjen përpara të axhendave LGBT, mbrojtjes të eutanazisë, apo betejave të tjera ideologjike që merr përsipër të çojë përpara Open Society, përmes gjykatësve të Strasburgut. Gjithësesi, sado me lupë të shikohet ky këndvështrim, kurioze është se Shqipëria paraqitet si një shtet i vogël, që Sorosi e përdor si laborator eksperimental për ideologjinë që kërkon të bëjë mbisunduese./LAPSI