Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta hodhi akuza të forta në adresë të qeverisë duke e quajtur atë organizatë kriminale.
Deklaratat Meta i bëri nga Saranda gjatë prezantimit të kandidatit të koalicionit opozitar "Bashkë Fitojmë" për kryetar bashkie, Ardit Cikuli.
Meta tha se qëndrimi i qeverisë për çështjen e Butrintit ka qenë një sjellje grabitqare. Ai paralajmëroi se opozita do ta ndjekë këtë çështje deri në fund.
“Pasuritë natyrore nuk do të shihen si plaçkë për t’u grabitur e tregtuar, por përkundrazi. Është e tmerrshme që Saranda të jetë e rrethuar nga uji dhe ende të mos e ketë të zgjidhur problemin e ujit. Fonde dhe tendera që janë bërë, janë grabitur. Është një sjellje anti-kombëtare dhe grabitqare qëndrimi i Rilindjes me çështjen e Butrintit. Këtë çështje duhet ta ndjekim deri në fund, sepse nëse nuk e ruajmë, cënojmë jo vetëm dinjitetin tonë, por edhe turizmin. Urbanistika këtu është e shkatërruar. Askush nuk ka menduar për parkingjet, për transportin. Rilindja këtu është sjellë si organizatë kriminale. Vetëm jep leje për pallate mbi pallatet. Vizioni i Cikulit është një vizion realist. I një profesionisti të nivelit më të lartë", tha ai.
Meta krahasoi kandidatët e opozitës të dalë nga vota e primareve me ata të Edi Ramës.
Kreu i PL tha se kandidatët e Ramës nuk guxojnë të dalin në debat me ata të koalicionit "Bashkë Fitojnë".
Ai akuzoi qeverinë edhe për falimentimin e disa bashkive për shkak të keqadministrimit.
"Kandidatët i keni zgjedhur vetë ju përmes një procesi demokratik si ai i primareve. Ju e dini shumë mirë si janë katapultuar kandidatët e krahut tjetër. Klani më i fortë ka bërë pagesën më të mirë dhe… Nuk dalin në debat ata. Të falimentosh Bashkinë e Kavajës që është një nga më të pasurat e Shqipërisë, të falimentosh atë të Vorës që ka bizneset më të mëdha të vendit dhe të ndërrosh 5 kandidatë atje… Këta nuk duan të fitojnë përmes programeve, por kanë zgjedhur rrugën e frikësimit dhe bullizimit të qytetarëve”, u shpreh më tej Ilir Meta.