Kryetari demokrat, Sali Berisha, komentoi gjatë konferencës për shtyp edhe qëndrimin e mbajtur nga Enkelejd Alibeaj në Shkodër, prej nga deklaroi se Edi Rama është progres, kurse Sali Berisha është regres.
“Alibeaj faktoi atë që u kam thënë shqiptarëve deri më sot se Alibasha dhe Brava janë pengje mjerane të Edi Ramës. E faktoi vetë ai.
Ai është peng, janë të dy pengje me lidhje krimi me Edi Ramën. Lidhjet e krimit janë lidhjet më të tmerrshme.
Ai, kur të dojë Edi Rama ia çon dosjen në gjykatë se një prokuror nuk ka firmosur dhe shkon për 6 vjet aty ku e ka vendin. Ky tjetri ka vëllain me delikuenca dhe Edi Rama ia fsheh,” tha Berisha.
Ndërkohë kreu demokrat, tha se fushata e opozitës është elektrizuar në mbarë vendin.
“Flamuri i fushatës është në duart e opozitës. Alternativat e saj janë alternativat që kanë pushtuar mendjen, zemrën e shqiptarëve, vatrat e tyre familjare.
Civiliteti i fushatës së opozitës është shembullor. Projektet, programet e qeveritarëve vendorë të ardhshëm janë një garanci e madhe për ndryshimin e shpejtë të gjendjes dramatike të bashkive tona. Por janë njëkohësisht rivendosje pluralizmi politik në qeverisjen vendore në Shqipëri.
Të gjitha këto kanë një kontrast të madh me krahun tjetër. Siç e shihni, bota pa censurë, që është bota dixhitale, zien e tëra për opozitën.
Para se të vija këtu, në një votim prej 12 mijë vetësh në portalin e studentëve, 69 përqind votonin për Belind Këlliçin. Rinia e tëra pas tij, ndërkohë po nga bota dixhitale, javën që kaloi, Lal Fallci e mbylli me indeksin më të lartë të neverisë në mediat sociale. Indeks, i cili ishte 20 herë ose dhe më shumë, i lartë se rivali i tij.
Pra, ajo që çka shpreh mendimin real të qytetarëve, faktohet si një triumf i padiskutueshëm i opozitës,” tha Berisha.