Kryeministri shqiptar, Edi Rama, sulmoi ashpër Britaninë e Madhe për qëndrimin e mbajtur në lidhje me emigrantët shqiptarë që po vërshojnë masivisht me gomone.
Por gazeta më e madhe britanike, Daily Mail, iu përgjigj duke publikuar fotot e disa emigrantëve që sapo kishin mbërritur me gomone, mes tyre edhe një vogëlushe.
“Dhjetëra emigrantë që po përpiqeshin të hynin në vend me gomone janë kapur sot- vetëm disa orë pasi kryeministri i Shqipërisë nisi një tjetër sulm të ashpër ndaj Mbretërisë së Bashkuar.
Një gomone me rreth 80 persona, që besohet se ishin emigrantë, u pa duke hyrë në Dover mëngjesin e së hënës- dhe të paktën një fëmijë i vogël u pa duke zbritur.
Shifrat tregojnë se të paktën 13 mijë shqiptarë u futën në Britani me varka të vogla vitin e kaluar- pak më pak se një e treta të gjithë mbërritjeve.
Edi Rama tha më herët se Britania e Madhe është në një vend të keq dhe po kalon një krizë nervore për shkak të fluksit prej mijëra njerëzish që vijnë me gomone.
Duke folur në një forum ekonomik në Greqi, Rama tha se Mbretëria e Bashkuar po shënjestron vendin e tij për t’u ‘ndjerë sikur ka ende muskuj’,” shkruan gazeta.