“Urbani falas është gjë e mrekullueshme për qytetarin”!
Kështu e konsiderojnë banorët e Tiranës, angazhimin e Belind Këlliçit, që pas 14 majit të ofrojë falas për banorët transportin publik. Gjatë takimeve që zhvilloi në zonën e “Xhamllikut”, “Selitës” dhe te “5 Maji”, dhjetra qytetarë kanë mirëpritur programin duke e pritur me entuziazem Belind Këlliçin, dhe duke treguar se janë të bindur nē këto projekte që do të realizohen pas 14 majit.
“Një gjë e mrekullueshme është për qyetarin urbani falas. Ata e dinë që është për të mirën e qytetarit. Janë mësuar me e luftu qytetarin, sepse ka shumë qytete në botë që janë pa pagesë. TEG-u dhe QTU-ja e kishte autobusin falas. Si ka mundësi që një biznes ta bëjë autobusin falas, dhe bashkia me gjithë ato të ardhura mos ta bëjë”, u shprehën dy banorë.
Ndërsa Belind Këlliçi tregoi se ky angazhim i kushton fare pak buxhetit të bashkisë, ndërsa i shërben qytetarëve. “246 milionë euro është buxheti i bashkisë. Autobusi falas kushton 16.5 milionë euro. Ta bëjnë llogarinë me mollë po deshën. 246 mollë është buxheti, 16.5 mollë është autobusi”, tha Këlliçi.
Në zonën e Xhamllikut, një ndër problemet që u ngrit si shqetësim nga qytetarët, ishte dhe çështja e parkingut. Belind Këlliçi përsëriti angazhimin e tij, që këtij problemi t`i japë zgjidhje pas 14 majit, duke vënë në dispozicion të qytetarëve pa pagesë, 30% të parkingjeve që aktualisht janë me pagesë. Ai premtoi edhe ndërtimin e parkingjeve të reja në qytet.
“Zgjidhja për parkimin është fokusuar padiskutim te ai premtim që unë kam dhënë, që do t`i dedikoj të paktën 30% vende që janë me pagesë, do t`i bëjë pa pagesë për komunitetin. Do të shohim dhe mundësinë e parkimeve nëntokësore, në vende të caktuara, apo dhe të ndërtimeve me objekt vetëm parkimin e makinave. Pra të mos ndërtohen vetëm pallate, të mos ndërtohen vetëm objekte të mëdha, por të ndërtohen edhe godina të mëdha që të shërbejnë për parkimin e automjeteve siç i ka e gjithë bota”, u shpreh Këlliçi.
Në një nga zonat, ku zhvilloi takime me banorët, në Selitë, Belind Këlliçi hasi me asfaltin elektoral të Erion Veliajt. Një rast flagrant, ishte ai i vendosjes së dy tabelave për punime në rehabilitimin e disa rrugëve të brendshme, ku tabelat dukshëm nuk përmbushnin detyrimin ligjor me informacionin e nevojshëm për afatet e punimeve. Shtuar këtu edhe faktin, që në rrugë, ndonëse ishte vendosur shkresa e tenderimit të punimeve, në terren nuk kishte asnjë makineri.
“Shifeni pak mashtrimin. Hapeni pak. Afati i punimeve e ka detyrim ligjor që të vëjë ditën e fillimit të punimeve dhe afatin e përfundimit. Ajo që ndodh është se vihet vetëm një muaj kalendarik. Se kur fillon kjo, a fillon në 2023, a fillon në 2024, a fillon në 2025 një zot e di. Po kjo është mashtrim vetëm për t`i hedhur hi syve qytetarëve. Që ata që kalojnë te kjo rruga që kapët ju gjithë kohën, të mashtrohen, të gënjehen, dhe të shkojnë t`i japin votën. Kjo bëhet vetëm për efekt elektoral. Kuptoni efektin, kuptoni se çfarë është kjo. Kjo tabelë këtu është vjedhje. Këtu vidhen lekët tuaja. Jemi prapë në Selitë, brenda një distance prej 100 metrash dy raste vjedhjesh, abuzime me qytetarët”, tha Belind Këlliçi.
Nga Selita, ku mori denoncime për gjobvënien nga policia bashkiake, Belind Këlliçi, u angazhua që pas 14 majit, kjo polici të kthehet në shërbim të qytetarëve dhe jo në gjobëvënëse të tyre.
“I them atyre qytetarëve që më shkruajnë, që më falenderojnë çdo ditë, për shkak se qëkur unë kam filluar të flasë, nuk janë më prezent policët bashkiak, janë zhdukur edhe nuk vendosin më gjoba për momentin, i them që kështu do të jetë edhe pas 14 majit. Me Belind Këlliçin kryetar bashkie Policia Bashkiake do të jetë polici komunitare. Do të jetë polici në shërbimin tuaj, jo t'ju gjobisi ju, jo t'ju marri shpirtin ju”, u shpreh Këlliçi.
Pas takimeve në zonën e Xhamllikut dhe Selitës, Belind Këlliçi takoi qindra qytetarë të zonës së “5 Majit”, mes të cilëve Nënë Lizën dhe banorë të tjerë, të cilëve një vit më parë, bashkia e Tiranës u shembi banesat.
Teksa panë nga afër rrënojat e banesave të shembura nga bashkia e drejtuar nga Erion Veliaj, nënë Liza nxorri një deklaratë të bërë nga kryebashkiaku i Tiranës, i cili pretendon se banorët që iu shemb shtëpia te “5 Maji”, kanë firmosur për të marrë pronat sipas sipërfaqes që kishin.
“Nënë Liza firmosi 500 m2 të Stefano Boerit te “5 Maji” kur e kuptoi që nuk e ndalon dot progresin. Dhe nga një karakatinë me katër këmbë që mund ta përmbyste lumi, pra një stallë me një kotec me një stallë me një kotec me një kafaz, merr 500 m2”, shprehej Veliaj në deklaratë.
Por kësaj deklarate, i dha përgjigje vetë nënë Liza, e cila përgënjeshtroi Erion Veliajn në prani të qindra qytetarëve.
“Unë as kam marrë metra katror, as kam “Range Rovera”, i kam fëmijët jashtë shtetit t`u punu. Shpia a ba me mund e me djersë, nuk është bërë me asnjë lloj gjëje. As kam “Range Rovera”, ato ia kam dhënë Erion Velisë, ia kam fal. Erion Velisë me qenë burrë, i kërkoj shtëpinë, 500 m2 dhe “Range Roverat” t`i mbajë”, u shpreh nënë Liza.
Ashtu si dhe më herët, Belind Këlliçi përsëriti angazhimin e tij, që pas 14 majit, banorët, të cilëve iu është shembur banesa nga bashkia e Tiranës, do të dëmshpërblehen me vlerën e tregut për pronën e tyre, ndërsa dha fjalën, se në vijim banesat e banorëve të tjerë nuk do të preken.
“U kemi dhënë premtimin në fakt, që unë kam kënaqësinë që ta përsërisë këtu para jush sot: do dëmshpërbleheni cent për cent me vlerën e tregut për shtëpinë tuaj. Kjo është e rëndësishme se është pasuria e një jete që ju keni. Unë kam përshtypjen se asnjë nga ju këtu nuk ka një shtëpi të dytë nëse ju është prish shtëpia. Ajo është gjithçka që keni pasur në jetën tuaj. Edhe ata që janë të shqetësuar me të drejtë, që janë pjesë e këtij blloku që kemi kaluar këtu. Që po na tregonin që jemi në merak të madh, sepse flitet që do të shembet edhe një pjesë shumë e madhe e zonës, i jap garanci se pas 14 majit prona juaj nuk do të preket”, u shpreh Belind Këlliçi.
Në çdo rrugë, në çdo lagje, në Xhamllik, Selitë, Bregu i Lumit e Kudo, Belind Këlliçi ka shtrënguar duart me dhjetra qytetarë, të cilët i kanë shprehur besimin dhe mbështetjen, që pas 14 majit, ai të drejtojë bashkinë e kryeqytetit.
Gjatë takimeve, kanë qenë jo të pakët socialistët e zhgënjyer nga Edi Rama dhe Erion Veliaj, që jo vetëm nuk do të votojnë më për ta, por këtë herë kanë vendosur të bëhen garantë të mbrojtjes së votës për opozitën.
Gjithashtu, të shumtë janë dhe bashkëatdhetarët, që kanë ardhur deri nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që të mbështesin me votë projektin e Belind Këlliçit për Tiranën në datën 14 maj.
“Unë jam Mark Deda, më njohin të gjithë komshinjtë këtu. Jo vetem në socialist, por kam qenë krejt socialistë gjithë çfarë jeni këtu ju kam kërkuar votën për Partinë Socialiste, për Edi Ramën dhe për Erion Velinë, u kam kërkuar vota. Socialistat nuk e votojnë. Edhe mund të dojë me i vjedh, por me i vjedh s`kemi për ta lënë se do e mbrojmë votën me kokë do e mbrojmë votën. Harmoninë që e ka kjo zonë këtu, ma merr mendja se e ka pakkush. Në 2005 ne kena fituar 81%, këtë vit do fitojmë 100%".
"Unë nuk iki pa votuar, nuk iki. Do ta japë votën ty pastaj do iki. Nga 26 punëtorë që kam pasur, kam përfunduar këtu me këtë dyqan një meter. Nuk lë taksa pa marrë, nuk lë taksa, ai është mashtrues. Puna dobët fare, ne jemi me ju, do ju votojmë. E jona është fitorja, kam ardhur nga Amerika apostafat. Deri në fund të majit do rri. Fitorja është e jona. Më bëhet qejfi që një djalë kaq i mirë të jetë kandidat për kryetar bashkie të Tiranës. Inshallah fitosh dhe Zoti ta bëjë mbarë sepse jemi lodhur shumë. Atë llafin tënd kena pasur në gojë. Për Zotin ky të ka pikë të dobët. Kam 30 vjet që jetoj në Amerikë, lind e rritë në këtë lgje. Doja një kërkesë nga ty, se më vjen keq për qytetarët që jetojnë në këtë lagje, por po them të vërtetën, këtu shit-blehet vota në mënyrë të tmerrshme”, u shprehën disa nga qytetarët që shtrënguan duart me Belind Këlliçin gjatë ecjeve në rrugë.
Në të gjitha takimet, Belind Këlliçi ka përsëritur angazhimet e tij me 5 prioritete për Tiranën, duke kërkuar votën e qytetarëve, që këto angazhime të kthehen në realitet pas 14 majit.